Grupi amerikan heavy metal, Metallica ka dhuruar 250 mijë dollarë amerikanë në mbështetje të atyre që janë prekur nga tërmeti në Türkiye dhe Siri.
Në një deklaratë nga faqja e medias sociale të Metallica-s thuhet: “Shkatërrimin në jug të Türkiye-s dhe veri të Sirisë nuk mund ta shpjegojmë me fjalë. Tërmeti 7.8 ballë e ka kthyer të gjithë rajonin në rrënojë. Numri i viktimave vazhdon të rritet, duke kaluar mbi 36 mijë në mënyrë katastrofike”.
Në postim vihet në dukje se All Within My Hands, organizata e ndihmës e themeluar nga grupi, i ka dërguar nga 125 mijë dollarë “Direct Relief” dhe “World Central Kitchen” të cilat kryejnë aktivitete të ndihmës në rajon.
Patti Smith thirrje për ndihmë
Gjithashtu edhe Patti Smith, një nga pioneret e muzikës “punk rock” nga llogaria e saj Instagram ka bërë thirrje për ndihmë për Türkiye-n dhe Sirinë.
Duke ndarë listën e organizatave të ndihmës që operojnë në rajon, Smith tha: “Dashurinë tonë në ditën e Shën Valentinit mund ta tregojmë në këtë mënyrë. Ndihmoni këto organizata. Një plasaritje në botë, miliona zemra të thyera”.
Burimi: AA