Nga: Hoxhë Alban Gorishti
Ka një lidhje gjuhësore mes fjalëve “mit”, “misticizëm” dhe “mister”. Që të tria këto fjalë burojnë nga folja e greqishtes musteion: me i mbyllë sytë ose gojën. Si të tilla, që të tria i kanë rrënjët në një përjetim të errësirës ose të heshtjes. (John Macquarrie, Thinking of God, fq 34.). Dallimi midis frikës iluzive dhe mesazhit deluziv është se iluzionet janë gabime të shqisave ndërsa deluzionet janë shkëputje nga realiteti. Kërkohet aftësi e madhe dhe baraspeshë mendore për të përdorur dhe për të interpretuar simbolet që lindin gjatë meditimit analitik dhe reflektimit të brendshëm, në të kundërt vegimet intelektuale dhe intelektualizmat deluzive rrezikojnë të shoqërohen nga haluçinacione, të cilat nëse janë të vazhdueshme rrezikojnë të shndërrohen në gjendje patologjike tek njeriu deluziv i mbushur me konspiracione.
Shumë prej nënave të dikurshme mbaj mend se kanë përdorur shpesh frikësimin iluziv si proces i rëndomtë edukativ, por ato realisht nuk e kanë njohur psikikën e fëmijëve. Ato i frikësonin fëmijët në rast se dilnin jashtë shtëpive, sidomos gjatë natës ku mungon ndriçimi duke ju thënë se natën dalin “vjedhësit”, “hajnat”, “shejtanët”, i frikësonin ata se është një “xhin” i njohur me emrin “x” apo “y”, i cili del natën me veshje të grave dhe se nuk mund të dallohet mes tij dhe një grua të rëndomtë, përpos se këmba e saj është në formën e këmbës së gomarit. Mund të paramendojmë se si do të jetë gjendja e një fëmije, i cili detyrohet të del nga shtëpia dhe takon një grua para tij në rrugë dhe në errësirë?
Në këtë gjendje të pamundësisë dhe dhembje psikologjijke, është plotësisht normale që fëmija të anon drejt miteve dhe magjisë, si dhe komenteve apo rrëfimeve mitologjike. Ekstremizmi, autokracia dhe prapambetja jane rezultat i miteve dhe magjise . E gjithë kjo ia dorëzoi psikikën e masave, lutjeve të mashtruesve dhe fallxhorëve, duke e radhitur umetin në radhët e të prapambeturve dhe të dobëtëve. Sot më tepër se kurrë në mendjen e fëmijëve të së djeshmes, po zënë vend teoritë konspirative. Të cilat sikurse mitet dhe fallxhoria, e zhysin psikikën e pamësuar (me shkencizëm intelektiv) në mesazhe iluzive dhe dimensione problematike. Por, komentet dhe konceptet e gabuara, tekstet e falsifikuara dhe të trilluara, rrëfimet dhe mitologjitë nuk duhet të gjejnë hapësirë në mendimet e umetit, në çështjet e pandryshueshme dhe universale, si dhe në kulturën meditive të popullatës. Edhe pse është për t’u habitur përhapja e mentalitetit magjik dhe mitologjik në mesin e një umeti që ka për mbështetje Kur’anin, i cili fton për mendim, meditim, hulumtim, seriozitet, përpikëri, bamirësi, përpjekje dhe adhurim, ndjekje të ligjeve dhe marrje e të gjitha masave të duhura gjatë realizimit të punëve. Kur të deformohen konceptet e muslimanit, atëherë këto koncepte shndërrohen në mjete për zhvlerësim të mendjes dhe dobësim të besimit.
Teoritë e ndryshme konspirative tek disa si dhe renditja e tyre në media me skenar të montuar , janë të ngjashme me situatën e ikonografisë tek të krishterët. Peter Brown thotë: “Ngado në botën e Krishterimit Lindor, ikona dhe vegimi vërtetonin njëra-tjetrën. Njëfarë takimi në një pikë qendrore të imagjinatës kolektive… në shekullin e gjashtë, siguronte se e mbinatyrshmja kishte marrë tipare të dallueshme, në ëndrra dhe në imagjinatën e secilit person që zakonisht portretizohej në art. Ikona kishte vlerën e një ëndrre të jetësuar.”(Society and the holy in late Antiquity London 1992, Peter Brown, f 212)
Por si beson muslimani? Në një prej këtyre dokumentareve konspiracionist dëgjova të përmendej shpesh ajeti: “Ata përgatitën kurthin e tyre, por Allahu i prish kurthet e tyre (i njeh mirë dredhitë e tyre), edhe sikur prej dredhive të tyre të shkuleshin malet” Ibrahim 46. Më saktë pjesa e fundit e tij “edhe sikur prej dredhive të tyre të shkuleshin malet”, duke nënkuptuar me këtë ajet ose duke e interpretuar atë, se disa forca të tjera (iluminati) kanë mundësi që të sjellin ndryshime të jashtzakonshme në rendin kozmik të kësaj bote ose në disa aktivitete madhështore të saj siç janë tërmetet apo pandemitë etj. Faktikisht komentuesit e Kuranit kanë dhënë interpretime të ndryshme rreth këtij ajeti, por të lidhësh kuptimin e ajetit (duke dalë tërësisht nga mesazhi i tij i vërtetë) me interpretime iluzive kjo është të formësosh koncepte deluzive dhe të pavërteta tek njerëzit di dhe të largohesh shume nga interpretimi klasik i Kuranit. Komentatorë si Begaviu apo ibn Kethiri përmendin se ky ajet ka zbritur për të përshkruar relaitetin e Nemrudit, i cili rriti dy shqiponja dhe i stërviti derisa ato u bënë shumë të mëdha , e më pas lidhi në këmbët e këtyre shqiponjave një tip arke të madhe me dy dyer dhe i urdhëroi ato të ngjiteshin lart (sipas komandave me të cilat ishin mësuar) por kur u ngjitën shumë lart pa që qielli nuk e humbi atë formën e vet madhështore (pra nuk e mbrriti fundin) ndërsa malet dukeshin si një kaçube e vogël e mbuluar nga tymi (retë). Pra thelbi i kësaj historie (sipas komentatorëve) ishte se sikurse Faraoni që urdhëroi Hamanin të ndërtonte një kullë të lartë, Nemrudi kërkoi të mbrinte thellësitë e qiejve në kërkim të Zotit të Ibrahimit, ndaj kjo dinakëri (dredhi) e tyre ishte shumë e madhe por ata ngelën shumë të vegjël përballë krijimit madhështor të Zotit, surrogat të iluzioneve të tyre ateiste. Po ashtu, për shkak të peshës së madhe që mbart mosbesimi i tyre, idhujtaria dhe kundërshtimi i pabesë ndaj pejgamberëve, ata thanë se kjo i ngjason formës metaforike që përcjell besimi i tyre i prishur në ajete si : “Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, pse ti as nuk mund ta çash tokën as nuk mund ta arrishë lartësinë e maleve” Isra 37. Po ashtu ajeti: “Ju (jobesimtarë) vërtet sollët një fjalë shumë të shëmtuar. Aq të shëmtuar sa gati u copëtuan qiejt, gati pëlciti toka dhe gati u shembën kodrat nga ajo (fjalë). Për atë se të Gjithëmëshirshmit i përshkruan fëmijë” Merjem 90-91. Pra kaq i madh ishte mashtrimi i tyre apo kurthi i tyre ndaj teje (o Muhamed) apo ndaj Allahut saqë sikur të krahasohej me diçka do të krahasohej me lëvizjen e maleve. Ndaj ajo që nënkuptohet me këtë ajet është se Allahu ka për ti nënçmuar ata që thurin kurthe dhe të tregojë se ajo e keqe që ata strehojnë nuk mundet ti fshihet Zotit.
Pra muslimani nuk i beson mesazheve deluzive të cilat induktojnë frikra iluzive, por ai beson se ka një Zot i cili di gjithçka dhe kontrollon çdo gjë madje edhe në detajet më të imta, një Zot që nuk ka lenë asgjë jashtë evidentimit. Një Zot i cili siç thotë në Kuran: “Ai në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja (falë mëkate, largon brengosje, jep jetë, jep vdekje, krijon gjendje, zhduk të tjera etj.)” Rahman 29. Pra si mundet të jetë një zot i tillë i pavëmendshëm nga ajo që veprojnë jobesimtarët (apo besimtarët) ? I paaftë të kontrollojë dredhitë e tyre të mëdha apo të vogla, i pavullnetshëm të ndalojë trillet e jobesimtarëve nga shkatërimi i tërë rruzullit tokësor? Por, padyshim disa ngjarje të jashtëzakonshme vijnë si pasojë e mëkateve, korrupsionit dhe ndonjë urtësie të padukshme për shikimin tonë të kufizuar. Nëse ky Zot do të ishte i pavëmendshëm, atëherë toka do të ishte shkatëruar me kohë për shkak të armëve të fuqishme që janë krijuar dhe ky shkatërim do të kishte përfshirë edhe shoqëri të cilat kanë nivel më të ulët korrupsioni apo shoqëri që ndoshta nuk e meritojnë atë ndëshkim. E çfarë mundet të thuhet nëse i japim të drejtë këtyre teorive të çartisura? Në këtë rast kataklizma të shumta do ta kishin përfshirë si të mirin por edhe të keqin, si të devotshmin por edhe amoralin, si atë që përpiqet të përmirsojë veten po po ashtu edhe atë që është në proces udhëzimi por akoma se ka parë dritën e besimit. E kjo do të humbiste virtytin e drejtësisë dhe udhëzimit hyjnor, pasi nuk do të lejonte tokën të trashëgonte mirësinë (islamin) e vet. Allahu thotë: “E atij populli që ishte i nënshtruar i trashëguam lindje e perëndim të tokës, që Ne e bekuam (me të mira)..” Araf 137. Po ashtu thotë : “se me të vërtetë tokën do ta trashëgojnë robtë e Mi të mirë” Enija 105.
Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.



