Skip to content

Asfaltohet “Rruga e Saraçëve”, Veliaj: Ndërhyjmë në çdo lagje, rrisim vlerën e pronës

WhatsApp Image 2023 02 19 at 11.52.28 AM

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj këtë fundjavë inspektoi punimet në “Rrugën e Saraçëve”, një rrugë historike e Tiranës dhe një aks shumë i rëndësishëm, i cili lidh dy prej zonave më të populluara të qytetit, “Rrugën e Dibrës” dhe Pazarin e Ri.

“Rruga e “Saraçëve” është një rruge historike e Tiranës, por duhet të pranojmë se edhe ky realitet po ndryshon. Nga njëra anë, kemi pallatet, disa janë ndërtuar në kohën e komunizmit, disa të tjera në vitet 90-të, nga ana tjetër, disa shtëpi të vjetra. Praktikisht, këtu bashkohen dy pjesë të Tiranës, Tirana e vjetër me Tiranën e re. Janë dy realitete që kanë nevojë të kenë të njëjtën cilësi në infrastrukturë”, u shpreh Veliaj.

WhatsApp Image 2023 02 19 at 11.52.34 AM

Ai bëri me dije edhe disa investime të tjera që do bëhen në njësinë 8, siç janë ndërhyrjet në çdo lagje, duke theksuar se do i rrisin edhe më shumë vlerën pronës.

“Pasi të mbarojmë me aksin kryesor, do të vazhdojmë me gjashtë rrugicat që lidhin mëhallat dhe xhepat e vegjël mes pallateve ose shtëpive private. Pastaj, do të kalojmë te kryqëzimi i “Farmacisë 10”, për t’u zhvendosur te lagjja “Besa”, pjesa e Njësisë 8, aty ku kemi hapur edhe shkollat e reja “Kiço Blushi” dhe “Sevasti Qirjazi”, por ku kemi edhe pallatet e rindërtimit. Kjo zonë ka qenë e lakmuar kur Tirana sa u shpall Kryeqytet sepse Rruga e Dibrës ishte qendra e Tiranës së vjetër. Unë besoj se do të jetë e lakmuar për sa kohë që rrethohet nga Pazari i Ri, i cili sot është një nga hapësirat ikonë të turizmit, një hapësirë që ka fituar çmime; lipset që edhe rrugët pranë Pazarit të Ri të përfitojnë nga e njëjta vlerë e pronës dhe të përfitojnë nga i njëjti sistemim”, u shpreh Veliaj.

WhatsApp Image 2023 02 19 at 11.52.28 AM

Nga Njësia 8, kryebashkiaku dha lajmin e mirë se javën që vjen do të hidhet shorti për 159 apartamente të tjera në lagjen e re “5 Maji”, që janë gati për të mirëpritur 159 familje.

“Javën tjetër hedhim shortin për 159 apartamente të reja te Bregu i Lumit. Janë banorë, të cilët humbën shtëpitë e vjetra për shkak të tërmetit, ose pronarë me prona të palegalizuara, banorë të Bregut të Lumit, të cilët do të marrin shtëpitë e reja. Kush beson dhe bashkëpunon shpërblehet, kush rri mbrapa partive, humbet kohë të çmuar, kohë që ne mund ta shfrytëzojmë për të mbaruar pallate dhe gjithë këtë infrastrukturë. Për 159 familjet e lagjes fillon një jetë e re, një kapitull i ri, një lagje e re dhe një komunitet i ri te super banesat e projektuara nga Stefano Boeri, me fond të qeverisë shqiptare, të zbatuar nga Bashkia e Tiranës”, tha Veliaj.

 

WhatsApp Image 2023 02 19 at 11.52.39 AM

WhatsApp Image 2023 02 19 at 11.52.44 AM