Skip to content

Nxënësit në 4 rajone të goditura nga tërmeti në Turqi kthehen në bankat shkollore nga 1 marsi

Nxënësit në katër provinca të Türkiyes të prekura nga tërmetet që nga 1 marsi do të kthehen në bankat shkollore, njoftoi sot ministri i Arsimit Kombëtar Mahmut Özer, raporton Anadolu.

“Nga 1 marsi, ne do të vazhdojmë me procesin arsimor në qendrat e qyteteve dhe të gjitha rrethet e provincave Adana, Kilis, Diyarbakır dhe Şanlıurfa”, u tha Özer gazetarëve në provincën Malatya, një nga zonat e goditura rëndë nga tërmetet e 6 shkurtit.

Ai shtoi se në provincat Gaziantep dhe Osmaniye, pushimet për shkak të tërmetit janë zgjatur deri më 13 mars, ndërsa në Adıyaman, Malatya, Kahramanmaraş dhe Hatay, mësimi pritet të fillojë më 27 mars.

“Nuk do të fillojmë arsimin në asnjë ndërtesë që nuk ka raport të rezistencës ndaj tërmeteve”, shtoi Özer.

Sot, nxënësit u kthyen në shkolla në të gjithë Türkiyen, me përjashtim të 11 provincave të prekura nga tërmeti.

Të paktën 41,156 njerëz humbën jetën në dy tërmetet e fuqishme që tronditën jugun e vendit më 6 shkurt.

Më shumë se 13 milionë njerëz u prekën nga tërmetet shkatërruese.

Tërmetet tronditën edhe rajonin më të gjerë, kurse në Sirinë fqinje jetën humbën më shumë se 3.600 njerëz dhe më shumë se 14.000 u plagosën.

Burimi: AA