Skip to content

Forcat izraelite vrasin 10 palestinezë, plagosin mbi 100 të tjerë në Nablus

Të paktën dhjetë palestinezë u vranë nga zjarri i forcave izraelite gjatë një bastisjeje ushtarake në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor sot, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Në një deklaratë të Ministrisë thuhet se 102 të tjerë u plagosën gjithashtu, duke përfshirë gjashtë në gjendje kritike.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se mjekët e saj trajtuan rreth 295 persona të prekur nga gazi lotsjellës i hedhur nga forcat izraelite.

Radioja e ushtrisë izraelite tha se dy palestinezë që ishin izoluar brenda një shtëpie në Nablus u vranë në fund të një operacioni ushtarak izraelit në qytet.

E përditshmja izraelite “Makor Rishon” raportoi se forcat izraelite eliminuan dy anëtarë të grupit të armatosur “Strofulla e Luanëve”.

Gazeta tha se dy palestinezët ishin të përfshirë në një sulm në të cilin u vra një ushtar izraelit në tetor 2022.

Forcat e ushtrisë izraelite bastisën Nablusin herët sot dhe rrethuan një shtëpi në Qytetin e Vjetër, duke shkaktuar një shkëmbim zjarri me persona të armatosur, thanë dëshmitarët okularë. Në qytet janë dëgjuar edhe shpërthime.

Forcat izraelite kryejnë në mënyrë të përsëritur bastisje në Nablus në kërkim të anëtarëve të grupit Strofulla e Luanëve, i cili u shfaq në Bregun Perëndimor të pushtuar vitin e kaluar.

Tel Avivi akuzon grupin për kryerjen e sulmeve vdekjeprurëse ndaj objektivave izraelite.
Burimi: AA