Skip to content

Berisha “kërcënon” Ramën: Mos e prek PD-në, do jesh përgjegjës për çdo akt armiqësor ndaj opozitës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe aleati i tij Ilir Meta, protestuan sërish para parlamentit, duke paralajmëruar se opozita nuk tërhiqet nga hetimi i lidhjeve të kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e lartë të FBI McGonigal.

 

Për dy orë me radhë, përfaqësuesit kryesorë të opozitës akuzuan mazhorancën socialiste se po shkel kushtetutën dhe rregulloren e kuvendit, duke i mohuar të drejtën deputetëve demokratë të ngrenë komisione hetimore, të zhvillojnë mocion me debat dhe seancë pyetjesh me kryeministrin Edi Rama.

 

SALI BERISHA

KRYETAR I PD

 

“Kjo kushtetutë në nenin e saj 70, garanton deputetit, me mbledhjen e 28 firmave krijimin automatik të Komisionit Hetimor që këta 28 burra e gra të votuar nga zgjedhësit shqiptarë, gjykojnë se duan të votojnë, gjykojnë se duhet të sjellin para zgjedhësve të tyre, të vërtetën mbi këtë çështje. Kurse, trafikantë, dhe kukulla pa asnjë dinjitet njerëzor të Edi Ramës, bllokojnë këtë të drejtë, deputetëve të opozitës.”

 

ILIR META

KRYETAR I PARTISE SE LIRISE

 

“Ai është në një gjendje shumë të rëndë por edhe sepse e ka shuar edhe atë Parti Socialiste që ekzistonte. Shqipëria sot vuan nga kartonokracia”

 

Edhe pse nuk ishte në parlament për shkak të masës disiplinore, kryetari i PD Berisha ka qene i vëmendshëm ndaj deklaratave të kundërshtarëve politikë në seancë plenare, veçanërisht ndaj një deklarate të kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

 

SALI BERISHA

“Sot Taulant Balla njoftoi vendimin që do japë gjykata me datë 3. Unë i them Taulant Ballës, meqenëse ti je i pari që njoftove vendimin, ja ku janë këta burra, të betohem para këtyre burrave, se ti dhe Edi Rama do bëheni përgjegjës personal për çdo akt armiqësor ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare.”

 

Berisha e bëri të qartë aksionin e opozitës, nëse në 3 mars gjykata vendos kundër tij.

 

“Kudo që ndodhesh, kudo të fshihesh, në çdo vrimë miu, do të kapim dhe do të çojmë te Gentian Sharra, miku yt Bëre mirë që e the tani në parlament, për këtë Edi Rama dhe ti do jeni përgjegjës personalë, dhe nuk ka forcë që tu mbrojë. Lëri këta që keni vënë këtu përpara, sepse po të duam për tre minuta, për tre minuta jemi brenda në parlament. “

 

Javën e ardhshme të premten e 3 marsit, gjykata e apelit ka caktuar seancë për shqyrtimin e logos dhe vulës së Partisë Demokratike dhe pritet të vendosë, nëse kryetar i Partisë Demokratike do të jetë ligjërisht Sali Berisha apo Lulzim Basha.