Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar sot aksin rrugor Maliq-Lozhan, i cili i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë.
“Është një rrugë ku ne do të implementojmë disa nga instrumentet që ne tashmë po i përdorim në mënyrë të miksuar në kantieret tona dhe duhet thënë që si në fillim të rrugës, ashtu edhe në përfundim ne ndërtojmë rrugë urbane, aty ku kemi edhe trotuar për ecjen edhe ndriçim për të gjithë banorët e zonës. E kemi aplikuar këtë duke nisur në unazën e Tiranës, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe po e aplikojmë në çdo projekt”u shpreh Balluku ndërsa theksoi se në varësi të kushteve gjeologjike, të arrijnë të përfundojnë këtë aks para verës 2024.
“Shpresoj shumë që gjeologjia të na e lejojë dhe ritmet të vazhdojnë ashtu siç i kemi në kantier dhe të arrijmë ta dorëzojmë këtë rrugë para afatit të përfundimit të kontratës, pra gjatë verës së vitit 2024 dhe ndërkohë në bashkëpunim me ARRSH-në, të cilët janë këtu gjatë gjithë kohës dhe janë të gatshëm të adresojnë të gjithë shqetësimet që mund të shfaqen gjatë ndërtimit të kantierit” vijoi Balluku.
Punimet për këtë aks, kanë nisur në fund të vitit të kaluar dhe deri më tani janë realizuar afro 26% e tyre. E gjithë rruga ka një gjatësi prej afro 19 kilometrash dhe përshkruan afro 42 fshatra, duke impaktuar drejtpërdrejt jetën e afro 35 mijë banorëve./
