Skip to content

Kolonët izraelitë sulmojnë palestinezët në Bregun Perëndimor, dhjetëra të plagosur

Kolonët izraelitë organizuan sulm në qytezën Huvara pranë Nablusit në Bregun Perëndimor të pushtuar të dielën vonë, duke i vënë flakën disa shtëpive dhe makinave dhe duke plagosur dhjetëra palestinezë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se një palestinez u plagos rëndë në kokë gjatë sulmit nga kolonët, të cilët ishin nën mbrojtje të fortë nga forcat izraelite.

Ndërkohë, Shoqëria Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se 95 palestinezë pësuan thithje të gazit lotsjellës kur u përballën me ushtarët izraelitë.

Ajo gjithashtu shtoi se një palestinez u godit me thikë dhe një tjetër nga një copë metali dhe që të dy janë transferuar në spital.

Dëshmitarët okularë thanë për Anadolu-n se dhjetëra kolonë izraelitë të shoqëruar nga forcat izraelite bastisën Huvaran dhe vandalizuan pronat palestineze, duke përfshirë djegien e disa shtëpive dhe makinave në qytezë.

Sulmet e kolonëve erdhën pas vdekjes së dy kolonëve izraelitë në Huvara nga një palestinez i cili më pas u largua nga vendi i ngjarjes.

Në komentet e tij për sulmet e kolonëve, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u bëri thirrje kolonëve që të mos hakmerren për vdekjen e dy kolonëve dhe t’ia lënë ushtrisë izraelite të kërkojë autorin.

“Lërini IDF-në (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit) të përfundojnë ndjekjen e saj dhe mos e merrni ligjin në duart tuaja. Së bashku do ta mposhtim terrorizmin”, thuhet në deklaratën e Netanyahut.

Që nga fillimi i vitit, të paktën 60 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite gjatë bastisjeve në zonat palestineze në Bregun Perëndimor, duke përfshirë 11 të cilët u vranë të mërkurën gjatë një bastisjeje në qytetin e Nablusit.

Burimi: AA