Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar është shprehur se dosja Rama-McGonigal po bëhet më e zezë.
Berisha thekson se kryeministri Rama rreshtohet si një person që një akt të tillë mund ta bënte vetëm një bir shpirtëror i komunistit, Enver Hoxha.
“Sot ne mblidhemi në prag të mocionit për Edvin Gonigalin, i cili bëri gjithçka që të sabotojë këtë mocion, që të fshihet nga superskandali i shekullit, nga ‘Uotergejti’ i shekullit të XXI-të, por një gjë u garantoj shqiptarëve se dosja e tij po bëhet gjithnjë e më e zezë nga hetimi shumë serioz që bën FBI-ja dhe Kongresi i SHBA-së.
Edi Rama në këtë dosje, rreshtohet me Deripaskën dhe McGonigal. Rreshtohet si një person që i lejoi vetes një akt të cilin mund ta ndërmerrte vetëm biri shpirtëror i Enver Hoxhës, apo i Kim Jon Un. Pra, rreshtohet me ata persona që nga urrejtja apo shkaqe të tjera nuk njohin asnjë kufi në akte dhe veprime të tyre kundër SHBA-së.
Në memorien e kohërave ky akt do të nxijë gjithnjë e më shumë. Përmasat e superskandalit Rama-McGonigal në Shqipëri bëhen çdo ditë e më kundërmuese e më të mëdha e më të zeza.
Unë kam bindjen se nesër në parlament atij do t’i numërohet në sy një për një e gjithë veprimtaria supermafioze me akte të veçanta që ai ka kryer me një tradhtar të kombit amerikan, të cilit i ishin besuar detyrat më të larta në fushën më sensitive të sigurisë së SHBA-së, dhe shqiptarët duhet të njihen me të gjitha aspektet.
Shqiptarët duhet të njihen me të gjitha aspektet, duhet të njihen me qindra e qindra denoncime të mediave Amerika, europiane, botërore, të cilat dilnin tri personazhe të zeza; Oleg Deripaska në njërën anë, McGonigal, tradhtari i SHBA-së në anën tjetër, dhe Edi Rama supermafioz”, shprehet Berisha.