Skip to content

Kosova ende pa viza, Thaçi nga Parisi: nuk po e kuptoj BE-në

Në një konferencë për shtyp nga Parisi, aty ku ndodhet me ftesë të presidentit Macron për kremtimet e 100-vjetorit të fundit të Luftës së Parë Botërore, presidenti Thaçi u deklarua për disa prej zhvillimeve aktuale, ku në qendër ishte dialogu me Serbinë

“Dialogu është për një arritje të marrëveshjes paqësore mes Kosovës dhe Serbisë dh pika e parë e marrëveshjes do të përfshinte njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi, duke shpalosur kështu vizionin e tij politik.

Ndërsa duke u zhvendosur te çështja e nxehtë e kufijve, kreu i shtetit kosovar tha se “nuk ka njohje pa i njohur kufijtë e njëri-tjetrit. Dy komisione kredibile të secilit shtet do të punojnë për demarkimin e kufirit, siç ka ndodh me Maqedoninë dhe Malin e Zi”.

 Sa i përket përfoljeve se Asocacioni i Komunave nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për “Republika Srpska” në Kosovë, Thaçi tha se kjo nuk ka gjasë të ndodhë

“Nuk do të ketë ndarje, e as Asociacion me elemente ekzekutive, që nënkupton krijimin e ‘Republika Srpska’ në Kosovë”, shtoi kreu i shtetit kosovar.

Nga ana tjetër, ai u shpreh sërish kritik ndaj Brukselit në lidhje me mosliberalizimin e vizave.

“Nuk e kuptoj dhe nuk e arsyetoj asnjë vend të Bashkimit Evropian për rezervat që kanë në procesin e liberalizimit të vizave. Të gjitha kriteret i kemi plotësuar… Unë do ta shfrytëzojë mundësinë që me të gjithë liderët, maksimalisht të diskutojmë drejtpërdrejt për këtë çështje…”, theksoi Thaçi.