Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, deklaroi se vendi ka bërë bërë progres të madh që nga shpallja e pavarësisë dhe se tashmë UNMIK nuk e ka më rolin paqeruajtës, prandaj do të ishte më e dobishme që resurset e kësaj organizate të shfrytëzohen për zgjidhjen e krizave tjera nëpër botë.
Gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Kosovën kërkoi nga vendet anëtare të këtij institucionit t’i referohen vendimit të GJND-së se Kosova nuk ka shkelur asnjë ligj kur ka shpallur pavarësinë dhe se ky realitet është i pakthyeshëm.
Diplomatja kosovare gjithashtu ka folur për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, duke thënë se nuk mund të pritet nga vendi ynë të luftojë krimet pa qenë pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm.
Sipas saj, për themelimin e ushtrisë nuk do të dialogohet me Serbinë dhe kjo çështje do të përfundojë së shpejti. Ndërsa shtoi se themelimi i ushtrisë nuk paraqet shkelje të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.
Duke folur për dialogun, ambasadorja Çitaku tha se Kosova vazhdon përmbushjen e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, por Serbia nga ana e saj ka dështuar në përmbushjen e marrëveshjes së energjisë, e cila i kushton Kosovës me miliona në vit, madje Beogradi zyrtar ka shkelur CEFTA-n, andaj tatimi i vendosur prej 10 për qind ndaj mallrave serbe si i tillë ka qenë i pashmangshëm.



