Skip to content

Lukashenko paralajmëron perëndimin: Rusia mund të përdorë armë bërthamore

Bjellorusia kërkon nisjen e negociatave sa më parë mes Ukrainës dhe Rusisë, për t’i dhënë fund luftës. Presidenti Aleksandër Lukashenko në një fjalim drejtuar popullit, paralajmëroi se një luftë e tretë botërore, këtë herë bërthamore, po ‘shfaqet në horizont’ për shkak të mbështetjes së NATO-s për Ukrainën.

 

Sipas tij, nëse Moska konstaton se po humb betejën, ajo është e gatshme të përdorë armë të fuqishme.

 

ALEKSANDER LUKASHENKO

PRESIDENT I BJELLORUSISË

 

“Do të përpiqem të sugjeroj ndalimin e konfliktit në Ukrainë përpara përshkallëzimit të mëtejshëm. Të nisin negociatat. Nëse qeveria ruse sheh rrezikun e një kolapsi, ajo do të përdorë armë të tmerrshme. Si rezultat i përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe satelitëve të saj, një luftë në shkallë të gjerë është nisur në Ukrainë. Një luftë e tretë botërore me zjarre bërthamore duket në horizont.”

 

Lukashenko, i cili e lejoi Putinin të përdorte territorin bjellorus si një pikënisje për pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës një vit më parë, këmbënguli se planet e Rusisë për të vendosur armë taktike bërthamore nuk janë shantazh, por një shans për të ‘mbrojtur’ kombin e tij kundër kërcënimeve të Perëndimit.

 

“Unë nuk jam duke u përpjekur të frikësoj apo shantazhoj askënd. Unë dua të mbroj shtetin bjellorus dhe të siguroj paqen për popullin tone.”

 

Lukashenko tha se Perëndimi po vendos forcat e tij ushtarake në Poloni, në kufijtë e Bjellorusisë dhe po planifikon ta pushtojë, dhe shkatërrojë atë.

 

Komentet e udhëheqësit bjellorus vijnë pasi ai paralajmëroi Mbretërinë e Bashkuar se do të shikojë një përgjigje të frikshme’, që do të jetë një mësim për të gjithë planetin, nëse ajo dërgon municione tankesh me uranium të varfëruar në Ukrainë.