Një tjetër rast i i transportit të armëve të zjarrit drejt Anglisë është parandaluar nga policia kufitare. Në njoftimin e policisë thuhet se janë sekuestruar 8 armë zjarri të fshehura brenda një tavoline, në një automjet që transportonte mallra të ndryshme drejt shtetit britanik.
Si pasojë është vënë në pranga drejtuesi i mjetit, J. K., 35 vjeç, banues në Tiranë. Ai akuzohet për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.
“Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore për gjetjen e armëve të zjarrit dhe municionit, u bë e mundur që brenda një tavoline të gjendeshin 8 armë zjarri (pistoleta), krehra me municion luftarak dhe aksesorë të ndryshëm armësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare dhe një shumë parash”, thuhet në njoftim.
Policia vijon hetimet për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
