Japonia dhe Jordania kanë vënë theksin për përmbajtje ndaj veprimeve që do të pengojnë realizimin e një “zgjidhjeje me dy shtete” për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve Palestinë-Izrael.
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida u takua me mbretin Abdullah II të Jordanisë i cili ndodhet në Tokio në kuadër të një vizite zyrtare.
Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme japoneze thuhet se në takimin që zgjati 30 minuta Kishida dhe mbreti Abdullah diskutuan për zhvillimet dypalëshe dhe rajonale.
Në takim Kishida ka përcjellë shqetësimet që vendi i tij ka kundrejt tensioneve gjithnjë në rritje mes Palestinës dhe Izraelit si dhe ka vënë në dukje se Jordania ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm mbi vendet e shenjta në Kuds.
Kishida ka thënë se mirëpret përpjekjet e formacionit të 5 vendeve të përbërë nga Jordania, Egjipti, SHBA-ja, Izraeli dhe Palestina për të ulur tensionet në fjalë.
Dy liderët vendosën theksin për përmbajtje ndaj veprimeve të njëanshme që do të pengojnë realizimin e një “zgjidhjeje me dy shtete” me qëllimin për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.
Mbreti Abdullah II dhe kryeministri Kishida shkëmbyen pikëpamjet në fusha të ndryshme përfshirë Irakun dhe Sirinë në Lindjen e Mesme si dhe Kinën dhe Korenë e Veriut në Azinë Lindore.
Duke treguar se në vitin 2024 vendosja e marrëdhënieve dypalëshe diplomatike do të mbushë 70-vjetorin, Kishida tha se dëshirojnë të zhvillojnë partneritetin strategjik reciprok.
Po ashtu dy liderët nënshkruan një marrëveshje ndihme në grantin prej 713 milionë jenësh që do t’i jepet Jordanisë nga Japonia në kuadër të “Programit të Zhvillimit Ekonomik dhe Social”.
Mbreti Abdullah II i Jordanisë, më 6 prill u nis për vizitë jashtë vendit që përfshin Japoninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Burimi: AA