Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, takoi sot përfaqësues të opozitës shqiptare. Zyrtari i lartë amerikan takoi fillimisht Enkelejd Alibeajn në cilësinë e kreut të PD, pasi Shtetet e Bashkuara nuk e njohin Sali Berishën, të cilin e shpallën “non grata” në majin e vitit 2021.
Gjatë takimit ra në sy mungesa e Jorida Tabakut, mungesë e cila vjen dy javë pas përplasjes së ashpër me Enkelejd Alibeajn, për mënyrën e kandidimit në zgjedhje.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA, Gabriel Escobar, takoi edhe kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në një njoftim për mediat të Partisë së Lirisë, sqarohet se gjatë bisedës, Ilir Meta i mëshoi rëndësisë themelore që aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka për demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë e Shqipërisë.
Ndërsa në lidhje me zgjedhjet vendore, Meta theksoi se 14 maji është një ditë ndryshimi për të gjithë shqiptarët, që do shënojë fundin e monizmit e do të rikthejë llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit.
Ne këto zgjedhje, Ilir Meta garon në koalicion me liderin historik të PD, Sali Berisha, i cili është izoluar prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej 19 majit të vitit 2021, kur ai u shpall “non grata”. Po sot, i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, takoi shefen e diplomacisë shqiptare, Olta Xhaçka dhe në fokus të takimit ishte forcimi i mëtejshëm i sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon.
