Kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj dhe kandidati i Tiranës, Roland Bejko janë takuar këtë të dielë me anëtarë të degës nr 9, ku ky i fundit ku ka folur për fushatën e tij lidhur me 14 majin.
Bejko tha se misioni i tij është të kontribuojë për një Tiranë më të mirë dhe policentrike, ku theksoi se nuk është kundër ndërtimeve të kulla por ato duhet të jenë të grumbulluara jo vetëm në qendër.
Kandidati i opozitës ndër të tjera tha se slogani i fushatë së tij është ‘T’i japim frymë Tiranës’, pasi ndërtimet kudo në qytet e kanë ‘bllokuar’ kryeqytetin dhe janë rritur sëmundjet kanceroze me 65%, pasi qyteti sot është vetëm beton e pluhur.
“Është kënaqësi e madhe të jem në takim me anëtar të njësisë nr 9. Ja vlen të bashkëbisedojmë dhe të shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe të themi se cilat janë objektivat tona në Bashkinë e Tiranës. Politikani ka për detyrë të bëj politika për të arritur një qëllim dhe për t’i realizuar objektivat për të cilët biem të gjithë dakord, dhe nëpërmjet votës të marrim pushtetin.
Kontributi tim, dijet e mia dhe si një njeri që jam shkolluar në Francë do doja që përvojën ta ndaja me kryeqytetin tim, dhe ndaj kombit shqiptar. E shoh si mision dhe të jem model, sesi të ndryshojmë Tiranën që e kanë bërë të pabanueshme oligarkia politike në bashkëpunim me krimin e organizuar. Edi Rama premtonte që do bënte mes Tiranës kulla të larta, kur bashkinë e mori PD ëndërrat e tij u thyen në mes. Kur u rikthye Erion Veliaj, Rama bllokoi të gjithë projektet e paraardhësit. Veliaj zbatoi ëndërrta e Ramës, këta oligarkë nuk i krijoi vetë por i gjeti aty. Rama i zhvilloi dhe rriti këta oligarkë. Ne nuk jemi kundër ndërtimeve pasi është një ekonomi ku punësohen mijëra njërës, por nuk duhet të bëhen barrë për banorët vendas.
Ne duam që të ketë kulla po në një zonë si prsh te bulevardi i Ri, të jenë të grupuara ashtu siç duhet të jenë dhe institucionet shtetërore. Ne Tiranën nuk e shikojmë të shkëputur, pjesën rurale por të jetë e integruar të kenë përfitime të ndërsjellët për një jetë më të mirë, duhet një Tiranë policentrike. Është rritur vdekshmëria e njerëze për shkak të kancerit në mushkri, Tirana është beton, smog e pluhur. Kjo është Tirana që na i kanë dhënë sot këta, Rama, Berisha dhe Ilir Meta. Erion Veliaj dhe Belindi janë çirakë të ustallarëve. Do ju tregojmë sesi i kanë të lidhur fijet të tre këta, prandaj dhe ne kemi dalë në fushatë me sloganin ‘Ti japim frymëmarrje Tiranës’. Kur është projektuar Tirana, mendohej për banesa jo të larta ndërsa sot jo vetëm që nuk qarkullon ajri por kemi dhe 65% të rritjes së sëmundjeve kanceroze. Është bërë jeta jonë shumë e vështirë”, tha ai.
Nga ana tjetër, Alibeaj tha se para zgjedhjeve kanë një farë dis-avantazhi duke iu referuar ndarjes brenda demokratëve, por shtoi se në fund të fundit, “më mirë pak dhe saktë, sesa shumë siç ishim, dhe me krimin e virusin e korrupsionit brenda vetes”.
“Tani ku jemi ne? Kemi nga njëra anë atë që konsiderohet në një farë mënyrë një farë dis-avantazhi, për faktin se në një vit e gjysmë, një pjesë e atyre kur ishim bashkë kanë ikur dhe duket sikur jemi lehtësuar pak, por në fund të fundit, më mirë pak dhe saktë e më të drejtën, sesa shumë siç ishim, dhe me krimin e virusin e korrupsionit brenda vetes.
E provuam në 2013, na përzunë shqiptarët, dhe po fus edhe veten. Sa kohë kemi pasur gjurmët e këqija të së shkuarës korruptive, shqiptarët as na besojnë dhe as votojnë. Për këtë arsye ka vetëm një mënyrë sesi mund të ndryshohet faqja e këtij vendi. Vetëm duke qenë të sinqertë me veten dhe duke u distancuar në mënyrë të plotë dhe pa asnjë lëshim nga e shkuara korruptive. Dhe duke i refuzuar të tre, të tre dinozaurët e politikës, fosilet politike të Shqipërisë 32-vjeçare: Edi Rama ka nga ’98 që është në pushtet, Sali Berisha, dy herë president dhe dy herë kryeministër dhe një herë non grata, dhe Ilir Meta, miku dhe shoku dhe armiku, sipas rastit, me njërin apo me tjetrin.
Duket sikur jemi një popull jo inteligjent për të kuptuar sesi duhet të funksionojë demokracia. Ka një kohë për të ardhur në politikë, për të arritur lavdinë, por edhe për të ikur. Vetëm në Shqipëri, vetëm për këta tre vetë, kjo ligjësi që është kudo në botë nuk funksionoka. E pra, do të duhet të djalë dikush, që ta prishë, ta thyejë këtë rregull që ka mbajtur mbyllur dhe po e mbyt këtë vend. Mund ta bëjmë vetëm ne, dhe askush tjetër. Zgjidhje nga qielli nuk ka për të ardhur. Ndihmë nga Perëndimi kemi, mbështetje kemi. Nuk duhet të rrimë të presim se ç’do të bëjnë ata”, tha ai.
