Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me dhunimin e 28-vjeçares në Tiranë nga bashkëjetuesi i saj, Gleard Gusholli ku në një deklaratë për mediat dënoi aktin dhe tha se organet kompetente janë treguar indiferente dhe se rendi është në duart e organizatave kriminale.
Berisha ka përmendur dhe vdekjen e 19-vjeçares nga Kenia, Joy Ayoko ku tha se klithmat e saj ranë në vesh të shurdhët dhe qeveria shkatërroi provat për të mbrojtur ministrat e saj.
Sakaq shtoi se mafia e Tiranës është më e rrezikshmja e Europës dhe tejkalon të gjitha grupet mafioze, si dhe jeta në kryeqytet është bërë e pasigurtë.
“Një vajzë, 26-vjeçare, u burgos e marrë peng në shtëpi i ashtuquajturi partner. Duke kryer ndaj saj një terror fizik dhe psikologjik tipik për strofullat e mafies me protektoratin e mafies. Jeta në Tiranë bëhet gjithnjë e më e pasigurtë. Rendin në dorë e ka krimi dhe mafia. U ndala në këtë rast dramatik, sepse muaj më parë, një vajzë nga Kenia, 19-vjeçare, që punonte në një kazino, u masakrua. Klithmat e saj ranë në vesh të shurdhër. Vrasësi është i sojit të qeverisë. Vetëm qeveria arrin të heshtë, të shkatërrojë, të rrënojë të gjitha provat për të mbrojtur ministrat e saj kriminelë që fshehin krimin.
Tirana është pra sot, qytet ku dominon ligji i mafias, ku dominon mafia. Mafia e Tiranës, duke pasur parasysh se ka pushtetin, është mafia më e rrezikshme e Europës. Ajo tejkalon Ndrahhetën, Sakra Korona Unitën, tejkalon të gjitha grupet mafioze, sepse kreu i saj është qeveria mafioze shqiptare. Dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar ndaj 26-vjeçares, indiferencën e treguar nga organet e rendit dhe në tërësi dorëzimin e sigurisë dhe rendit të qytetarëve në duart e organizatave kriminale nga një qeveri e lidhur kokë e këmbë me to”, tha ai.
