Skip to content

Duhen ngritur qendra për kurimin e varësisë. Aktiviteti do të vazhdojë në mënyrë informale




Eksperti i ekonomisë Klodian Muço ka propozuar ngritjen e disa qendrave për kurimin e varësisë ndaj lojërave të fatit pas vendimit të qeverisë për rihapjen e basteve.

Ai u shpreh në Panorama TV se një pjesë e të ardhurave për realizimin e këtij vendimi duhet të shkojë për hapjen e këtyre qendrave që zgjidhin problematikat me varësitë që krijon bixhozi.

“Është diskutuar që kjo pjesë e të ardhurave do shkojë për të financuar pjesën e sportit. Do ngrihet një komision AD Hoc që do vendosë si do ndahen këto para. Është futur qeveria në mes dhe do jenë ata që do vendosin se cila do jetë forma e shpërndarjes së parave.

Një problematikë tjetër po të kthehemi pak mbrapa në 2019, kryeministri foli për fenë, për varësinë dhe problematikat familjare. Kjo ishte arsyeja pse i mbyllën. Po tani që është vendosur hapja e basteve, mos vallë një pjesë e të ardhurave duhet të shkonte për ngritjen e qendrave që do të kuronin varësitë. Duke qenë se po hapen përsëri, Shqipëria duhet të krijojë një qendër për të zgjidhur problematikat me varësitë që krijon bixhozi”, deklaroi ai.

Muço u shpreh se bastet do të vazhdojnë ashtu si janë edhe në ditët e sotme, në mënyrë informale.

“Bastet do vazhdojnë ashtu si janë në ditët e sotme në mënyrë informale. Problematika është se ne vuajmë nga një situatë e madhe informaliteti. Këto baste do vendosen online. Por frika e personave që njohin sektorin është fakti që nuk do jenë personat, do vazhdojnë të lozin me kreditet e të tjerëve. Unë mund të vazhdoj të vendos baste dhe të paguajë një person tjetër”, u shpreh ai.

“”