Banorët e Bërxullës janë takuar ditën e sotme me drejtorin e zyrës rajonale të Kadastrës në Vorë. Ata thanë në një deklaratë për mediat se kanë marrë garanci për legalizimin e pronave dhe banesave të tyre.
Megjithatë thonë se tashmë problemin e kanë me Ministrinë e Infrastrukturës, për projektin e rrugës, pasi nuk është bërë transparencë në lidhje me mbikalimet dhe nënkalimet që do të bëhen.
“Nga takimi që kishim me drejtorin e zyrës rajonale të Kadastrës, ishte i frytshëm. Pronat që kanë bërë aplikim qoftë banesat për legalizim që janë në zyrat e hipotekës do të certifikohem.
Dhe ato që nuk kanë bërë akoma aplikim janë në kohë për të aplikuar. Tani problemi jonë është me Ministrinë e Infrastrukturës për projektin e rrugës. Nuk i dalin llogaritë që kanë bërë as për mbikalim, as për nënkalim.
Ne protestën do ta vazhdojmë deri ditën kur do zgjidhjet problemi. Nuk kemi asnjë rrugëzgjidhje po nuk u bë transparencë për nënkalimet, rrugët dytësore. Me atë që kemi diskutuar të gjithë ato dosje që e kanë dokumentacionin e rregullt do mbyllen brenda javës. Ata që kanë mangësi do njoftohen dhe do i plotësojnë. Duhet të fillojmë urgjentisht t‘i bëjmë”, deklaroi ai.
Banorët paralajmërojnë se protesta e tyre nuk do të ndalet derisa të plotësohen të gjitha kërkesat e tyre për projektin e rrugës Thumanë-Kashar.
“Protesta do të vazhdojë. Kërkesa e llogarisë do të jetë deri në fund. Nuk mund të vëmë përgjegjësi vetëm drejtorisë së Hipotekës për dokumentacionin. Duhet të ndërgjegjësohen vetë banorët në radhë të parë për plotësimin e dokumentacionit. Ne protestën nuk do e ndalojmë deri sa të na plotësohen të gjitha kërkesat e ligjshme dhe të asksesueshme që këta banorë të jenë të lirë për të shkuar te pronat. Kërkojmë zbatimin e ligjit për rrugët dytësore, për nënkalimet”, deklaroi një prej banorëve.
