Skip to content

Kërkesë-padia e “Bashkë Fitojmë” në Kolegjin Zgjedhor për heqjen e logove të partive politike ose koalicioneve nga fleta e votimit, përcaktohet trupi gjykues dhe ora e seancës




Pas kërkesë-padisë së koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Kolegjin Zgjedhor për heqjen e logove të partive politike ose koalicioneve nga fleta e votimit, është përcaktuar trupi gjykues dhe ora e seancës.

Shorti publik për përcaktimin e përbërjes së Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor ditën e premten (21 prill) dhe trupi gjykues do përbëhet nga gjyqtarët:

  1. Edlira Petri (Relatore);
  2. Manjola Xhaxho (Anëtare);
  3. Esmeraalda Xhili (Anëtare);
  4. Emona Muçi (Anëtare);
  5. Alma Kolgjoka (Anëtare)

Ndërkohë seanca gjyqësore është caktuar sot në orën 17:30 në ambientet e godinës “Poli i Drejtësisë”, në sallën e konferencave të KLGJ-së.

“Me Urdhër datë 21.04.2023 “Për caktimin e seancës gjyqësore” të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor është caktuar data 21.04.2023, ora 17:30, për zhvillimin e seancës gjyqësore në ambientet e godinës “Poli i Drejtësisë”, salla e konferencave të KLGJ-së, në adresën: Rruga “Ana Komnena”, Tiranë”, thuhet në një njoftim.

Në kërkesë-padinë e “Bashkë Fitojmë” është kërkuar ndyshimi i vendimit të KAS dhe të “ndryshohet përmbajtja e fletës së votimit për kandidatët për Kryetar Bashkie, Bashkia Tiranë, si dhe për 60 bashkitë e tjera në vend, duke vendosur heqjen e Logos së Partive dhe/ose të Koalicioneve, nga përmbajtja e fletës së votimit për Kandidatët për Kryetar Bashkie”.

 

Njoftimi i plotë:

Pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, për llogari të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, është paraqitur për shqyrtim çështja Nr.14 Regj. Themeltar, Datë 20.04.2023 Regjistrimi, me:

PADITËS:    KOALICIONI “BASHKË FITOJMË”.

I PADITUR:   Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – (KQZ).

OBJEKTI:     Ndryshimin e Vendimit nr.62, datë 19.04.2023, të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke vendosur:

Ndryshimin e vendimeve nr. 360 dhe 363 të KSH, datë 15.04.2023, duke ndryshuar përmbajtjen e fletës së votimit për kandidatët për Kryetar Bashkie, Bashkia Tiranë, si dhe për 60 bashkitë e tjera në vend, duke vendosur heqjen e Logos së Partive dhe/ose të Koalicioneve, nga përmbajtja e fletës së votimit për Kandidatët për Kryetar Bashkie.

Për dijeni, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me Vendimin nr.360, datë 15.04.2023, ka vendosur:

      1. Miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për Kryetar Bashkie në zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, sipas lidhjes që i bashkëlidhet këtij vendimi.

  1. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
  2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij”.

Ndërsa, me Vendimin nr.363, datë 15.04.2023, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi:

     1. Miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për Kryetar Bashkie në 60 bashki, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, sipas lidhjes që i bashkëlidhet këtij vendimi.

  1. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
  2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij”.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), me Vendimin nr.62, datë 19.04.2023, objekt i kërkesëpadisë së mësipërme, vendosi:

    1. Rrëzimin e Kërkesës ankimore të paraqitur nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë” në datën 18.04.2023.

  1. Lënien në fuqi të vendimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nr.360 dhe nr. 363 të datës 15.04.2023”.

Më datë 21.04.2023 u hodh shorti publik për përcaktimin e përbërjes së Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor dhe, sipas tij, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët:

  1. Edlira Petri (Relatore);
  2. Manjola Xhaxho (Anëtare);
  3. Esmeraalda Xhili (Anëtare);
  4. Emona Muçi (Anëtare);
  5. Alma Kolgjoka (Anëtare)

Me Urdhër datë 21.04.2023 “Për caktimin e seancës gjyqësore” të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor është caktuar data 21.04.2023, ora 17:30, për zhvillimin e seancës gjyqësore në ambientet e godinës “Poli i Drejtësisë”, salla e konferencave të KLGJ-së, në adresën: Rruga “Ana Komnena”, Tiranë.

“”