Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë sot kërkesë-padinë për vendosjen e emrit të Sali Berishës si drejtues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në fletën e votimit.
Pas hedhjes së shortit u vendos trupi gjykues që përbëhet nga gjyqtarët:
- Marsela Dervishi (Relatore);
- Esmeralda Xhili (Anëtare);
- Alma Kolgjoka (Anëtare);
- Emona Muçi (Anëtare);
- Manjola Xhaxho (Anëtare);
Seanca do të mbahet të premten (21 prill) në orën 18:00, në ambientet e godinës “Poli i Drejtësisë”, salla e konferencave të KLGJ-së, në adresën.

Njoftimi i plotë
Pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, për llogari të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, është paraqitur për shqyrtim çështja Nr.15 Regj. Themeltar, Datë 20.04.2023 Regjistrimi, me:
PADITËS: KOALICIONI “BASHKË FITOJMË”.
I PADITUR: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – (KQZ).
OBJEKTI: Ndryshimin e Vendimit nr.61, datë 19.04.2023 të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke vendosur:
Ndryshimin e vendimeve nr.361 dhe 362 të KSH, datë 15.04.2023, duke ndryshuar përmbajtjen e fletës së votimit për kandidatët për anëtarë të këshillit bashkiak, Bashkia Tiranë, si dhe për 60 bashkitë e tjera në vend, duke vendosur përbri emrit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” emrin e z. Sali Berisha.
Për dijeni, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me Vendimin nr.361, datë 15.04.2023, ka vendosur:
“1. Miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për anëtarë të këshillit bashkiak, Bashkia Tiranë, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, sipas lidhjes që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij”.
Ndërsa, me Vendimin nr.362, datë 15.04.2023, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi:
“1. Miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për anëtarë të këshillit bashkiak në 60 bashki, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, sipas lidhjes që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij”.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), me Vendimin nr.61, datë 19.04.2023, objekt i kërkesëpadisë së mësipërme, vendosi:
“1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore të paraqitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë, sa i takon pasqyrimit të emrit të Kryetarëve të partive udhëheqëse të koalicioneve “Bashkë Fitojmë” dhe “Aleanca Liberale e Djathtë” në fletën e votimit.
- Rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike të Shqipërisë për sa i përket pasqyrimit të shkronjave nistore të partive përbërëse të koalicioneve përbri emrit të koalicionit përkatës.
- Rrëzimin e kërkesës së palës së interesuar, koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për vendosjen e emrit të deputetit Sali Berisha në fletën e votimit si drejtues i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
- Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Administrativ brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e tij”.
Më datë 21.04.2023 u hodh shorti publik për përcaktimin e përbërjes së Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor dhe, sipas tij, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët:
- Marsela Dervishi (Relatore);
- Esmeralda Xhili (Anëtare);
- Alma Kolgjoka (Anëtare);
- Emona Muçi (Anëtare);
- Manjola Xhaxho (Anëtare);
Me Urdhër datë 21.04.2023 “Për caktimin e seancës gjyqësore” të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor është caktuar data 21.04.2023, ora 18:00, për zhvillimin e seancës gjyqësore në ambientet e godinës “Poli i Drejtësisë”, salla e konferencave të KLGJ-së, në adresën: Rruga “Ana Komnena”, Tiranë.
