Spitali Rajonal i Shkodrës u përfshi nga flakët mëngjesin e kësaj të shtune, duke shkaktuar panik te pacientët, por edhe stafi mjekësor.
Zjarri ra në katin e katërt të spitalit, ku ndodhet Shërbimi i Pneumologjisë, në njërën prej dhomave të pacientëve. Siç duket edhe nga këto pamje, dhoma është shkrumbuar.
Evakuimi i të shtruarve u bë në kohë nga grupet e emergjencës, duke shmangur tragjedinë, ndërsa zjarrfikësit shuan flakët, duke mos lejuar përhapjen në dhomat e tjera.
Pas ngjarjes, reagoi edhe Spitali Rajonal i Shkodrës, i cili siguron se asnjë nga pacientët nuk ka mbetur i lënduar, por ka vetëm dëme materiale.
Sipas stafit të spitalit, shërbimi mjekësor në dhomat e tjera vijon pa ndërprerje, ndërsa po merren masa për riparimin e ambientit.Grupi hetimor mblodhi provat për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit, i cili dyshohet të jetë aksidental.