Deputetët Parlamentit Evropian (PE) miratuan raportin i cili përfshin që përparimi i Serbisë në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) të lidhet me kushtin “që të jetë në përputhje me sanksionet kundër Rusisë”.
Në raportin që Komiteti i PE-së për Marrëdhëniet me Jashtë miratoi bëhet thirrje për rishikimin e ndihmave financiare të BE-së ndaj Serbisë në rast se vazhdon mbështetja ndaj regjimeve jodemokratike.
Po ashtu në raport kërkohet mospërparimi i negociatave për anëtarësimin e Serbisë në rast se ky vend nuk i bashkohet sanksioneve që BE-ja zbaton kundër Rusisë dhe nëse nuk sigurohet avancim serioz në reformat e BE-së.
Deputetët e PE-së kanë kërkuar që dinamikat e procesit të anëtarësimit të përcaktohen në lidhje me mbizotërimin e ligjit dhe të drejtave themelore, funksionalitetin e institucioneve demokratike si dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Në kuadër të marrëdhënieve të jashtme, Serbia kryesisht për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, duhet të ndjekë një linjë në përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Në raport theksohet shqetësimi se që nga raporti i vitit 2020 nga Komisioni Evropian (KE) e deri më tani Serbia nuk ka avancim në asnjë prej 33 kapitujve të negociatave.
Deputetët theksojnë se në Serbi ka rënë mbështetja për anëtarësim në BE. Kjo ka ndodhur si pasojë e retorikave anti-BE dhe pro-Rusisë dhe se kjo retorikë përhapet përmes mediave të kontrolluara nga qeveria dhe përmes zyrtarëve të tjerë.
Teksa lëvdohen masat e marra për pavarësinë e gjyqësorit dhe bashkëpunimin me BE-në për menaxhimin e migracionit të parregullt, në raport vihet theksi se nevojitet më shumë përpjekje dhe vullnet politik në luftën ndaj korrupsionit.
Raporti i Komitetit të PE-së për Marrëdhëniet me Jashtë i miratuar me 43 vota “pro” dhe 5 “kundër” do të paraqitet për votim në Asamblenë e Përgjithshme të PE-së.
Burimi: AA