Deputetja e PD, Ina Zhupa ka reaguar në lidhje me shtyrjen e seancës së sotme për konfiskimin e pronave me VKM nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Zhupa në një intervistë për ‘News24’ tha se shtyrja e seancës është e paprecedentë, pasi Gjykata duhet të ishte e pavarur dhe se gjithçka po bëhet në shkelje.
Sakaq shtoi se Kushtetuesja ndodhet përballë një presioni të madh politik, ndaj dhe po kërkohet kohë për të fituar nga ana e qeverisë.
“Kjo është e paprecedentë. Nuk është hera e parë kur deputetët kanë çuar padi në Kushtetuese. Ka një procedurë se si ndiqen çështjet nga Kushtetuesja. Si në rastin e Olta Xhaçkës. Në këtë rast ishin dhe dy padi dhe nuk u kërkua as prezenca e deputetëve apo firma e tyre e ripërsëritur, pasi vullnetin e tyre e kishin paraqitur. Kishim rastin dhe të bordit të ushqimeve. Është e njëjta praktikë dhe po flasim për të njëjtën Gjykatë Kushtetuese. Kjo gjykatë duhet të jetë e pavarur. Rasti i Elida Kokonës, tregon se gjithçka bëhet me dy standarde. Ata janë absurd dhe në gjërat që kërkojnë. Gjithçka po bëhet në shkelje të procedurave dhe garancive që duhet të kenë deputetët, siç e kërkon kushtetuta e këtij vendi. Gjykata ndodhet përballë një presioni të madh politik. Edhe në 2 maj uroj që kjo gjykatë të ngrihet në lartësinë për shkak të mandatit që ka. Po kërkohet kohë për të fituar nga ana e qeverisë.”, tha Zhupa.
