Skip to content

Lobing për Beogradin, Rama: Nuk futemi në BE po nuk hyri edhe Serbia




Kryeministri Edi Rama u bëri dje thirrje votuesve demokratë të mos shkojnë në kutitë e votimit me datë 14 maj, por sipas tij do të ishte më mirë që ata të flenë në këtë ditë se të turpërojnë shtëpinë për të votuar për Ilir Metën.

“Pranojeni si një element dekorativ të fushatës dhe mobilizohuni dhe mos lini grua dhe vajzë pa porositur, foli burrit. Gratë t’i flasin burrave. Nëse është aq i djathtë sa nuk e zë gjumi, të flejë gjumë në datën 14, të mos dalë të turpërojë shtëpinë që të vërë kryq te like floriri”, tha Rama. Në Elbasan kreu i qeverisë ftoi në qendër të sallës gratë e pranishme në takim që të kërcenin së bashku këngën e fushatës së PS, “Vetëm përpara”

LOBIMI

Kryeministri Edi Rama bëri sërish dje avokatin mbrojtës të Serbisë, teksa ditët e fundit është shtuar presioni ndaj Beogradit nga BE dhe SHBA për respektimin e marrëveshjes së Ohrit. Rama deklaroi në një intervistë për emisionin “Porta a Porta”, se “duhet ta mbajmë Serbinë shumë pranë dhe duhet të bëjmë gjithçka që të jemi të bashkuar politikisht”. I pyetur nëse Shqipëria i frikësohet një zgjerimi të mundshëm të Bashkimit Europian që përfshin Serbinë, në një kohë kur Serbinë e shohim shumë pranë Rusisë, Rama tha se “jo, vetëm që nuk i trembemi kësaj, por jemi një zë mjaftueshëm i dalluar në Ballkanin Perëndimor që thotë se duhet ta mbajmë Serbinë shumë pranë dhe duhet të bëjmë gjithçka që të jemi të bashkuar politikisht”.

“Nga ana tjetër, sigurisht që ka dallime sepse Serbia nuk e ka sanksionuar Rusinë për arsye të qarta që në një moment duhet kuptuar se ato janë arsye të natyrës politike dhe historike, por edhe të natyrës pragmatike”, shtoi Kryeministri. Duke folur mbi ndikimin e luftës në Ukrainë në Ballkan dhe në veçanti në Shqipëri, Rama tha se “duhet të bëjmë gjithçka për të shmangur që pasioni luftarak, të mos na përfshijë edhe ne në krijimin e mosmarrëveshjeve mes vendeve anëtare të NATO-s dhe pro NATO-s në Ballkan dhe mes Serbisë dhe komuniteteve që i përkasin një bote sllavo-ortodokse, që është e lidhur ngushtë me Rusinë”. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit, Rama theksoi se nuk mund të mendohet një Bashkim Europian që përfshin Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit, pa Serbinë. Rama foli edhe për luftën në Ukrainë, ndërsa theksoi se, “mundësia më e madhe është që ky është një nga konfliktet e ashtuquajtura të ngrira, por me një dimension mjaft mbresëlënës që mund të marrë peng jo vetëm Rusinë dhe Ukrainën, por të gjithë botën për një periudhë të gjatë kohore. Dhe, nëse rusët kanë qenë gjithmonë luftëtarë mjaft të ashpër, ukrainasit janë të njëjtë. Kështu të thuash që këtu mund të vendoset pa ata, më duket mjaft e vështirë”.

REAGIMI

Analisti polak, Jakub Bielamoëicz, ekspert në çështjet e integrimit europian, reagoi pasi Kryeministri Edi Rama mbrojti sërish Serbinë dhe Aleksandër Vuçiç, duke thënë se nuk ka integrim të Shqipërisë në BE pa Serbinë. “Pavarësisht nga probabiliteti i ulët që ndonjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohet në BE së shpejti, është sërish e habitshme të shohësh Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, duke lobuar për anëtarësimin e Serbisë në BE, të cilin lidershipi aktual post-Millosheviçit e ktheu në shtetin kandidat më pak të përshtatshëm për anëtarësim”, shkruan ai. Kujtojmë se Kryeministri Edi Rama ka lobuar vazhdimisht për Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Në jo pak momente ka arritur deri aty sa ka sulmuar Bashkimin Europian dhe vendet perëndimore dhe ka mbrojtur Beogradin. E bëri këtë kur SHBA dhe BE vendosën sanksione për Rusinë, gjë të cilën Serbia i refuzoi dhe menjëherë Rama bëri zëdhënësin e qeverisë serbe, duke thënë se Vuçiç duhet mirëkuptuar. Rama mendon më shumë për Serbinë dhe popullin e saj sa për qytetarët e vendit të tij. Dhe këtë e tregoi edhe në intervistën e dhënë për ‘Associated Press’, ku këshillon BE-në që të mbajë afër Serbinë.

“”