Këtë të martë tre kompani ndëkombëtare po shpalosin projektet e tyre për ndërtimin e stadiumit “Skënderbeu”, në Korçë. I pranishëm në konkurs është dhe kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e tij theksoi se ky investim do të shërbejë për të ofruar më shumë se thjesht një ndeshje për këtë zonë.
“Kjo është shumë e rëndësishme në funksion të gjithë projektit tonë të sportit në shkolla, të sportit për fëmijët, ku me Federatën Shqiptare të Futbollit kemi realisht një potencial të madh zhvillimi dhe progresi që t’i bashkojmë të gjitha forcat.
Elementi i dytë është ambicia për të transformuar sportin dhe futbollin në radhë të parë, në një mundësi të shtuar për turizmin duke ofruar infrastrukturë dhe logjistikë për skuadrat e huaja që të vijnë të stërviten në Shqipëri. Unë besoj që Korça mund të jetë e para në këtë rrugë të re, me këto zhvillime të reja që të ofrojë mundësi optimale për skuadra europiane që të kalojnë periudhën e tyre përgatitore këtu, duke sjellë një vlerë të shtuar ekonomike dhe financiare për qytetin.
Në këtë kontekst, dua të shtoj se kërkesa që u kemi bërë arkitektëve pjesëmarrës në këtë konkurs, në këto konkurse është që pikërisht të shohin përtej fushës së blertë, të shohin përtej shkallëve të stadiumit dhe të krijojnë një garnitet të ri për këto qytete duke ofruar më shumë sesa thjesht aktivitetin e ndeshjeve të ditës së dielë”, tha Rama.
Në muajin shkurt të këtij viti, qeveria njoftoi hapjen e konkursin për të gjitha kompanitë që duan të propozojnë projektet e tyre për ndërtimin e këtij stadiumi. Këtë të martë do të shpallet dhe projekti fitues mes tre kompanive, ARCHEA Associati (Itali), BOFILL Architecture (Spanjë) dhe CEBRA (Danimarkë).
