Ish kryeministri, Sali Berisha ka reaguar pas mesazhit të kryesocialistit Rama drejtuar presidentit turk, Tajip Erdogan.
Lidhur me këtë mesazh, ish kryeministri Berisha shprehet se Rama nuk ka respektuar asnjë ligj dhe normë ndërkombëtare me synim orientim e votës të komuniteti shqiptar në favor të presidentit turk.
“Me një mesazh të gjatë, që synon t’i adresohet komuniteti të gjerë shqiptar në republikën e Turqisë, Edi Rama, një armik i vërtetë i votës së lirë, në shkelje flagrante të ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, u kërkon shqiptarëve, qytetarëve turq, të votojnë me 14 maj për presidentin aktual në largim të Turqisë.
Me këtë rast, duket dënuar këtë ndërhyrje të pafalshme dhe të palejueshme të një njeriu që nuk respekton asnjë ligj dhe asnjë normë, kombëtare apo ndërkombëtare, u rikujtoj komunitetit shqiptar në Turqi, duke i shprehur atij nderimin më të madh, se njeriu që u bëri thirrje nga Tirana se për kë duhet të votojnë, është një armik i vërtetë i lirive të qytetarëve shqiptarë, i votës së tyre, i pasurive të shqiptarëve, i ligjeve të vendit”, tha Berisha.
Sipas Berishës, lidhjet mes presidentit turk dhe kryeministrit shqiptar nuk përputhen me marrëdhënien ndër vitë të dy vendeve, pasi i shërbejnë pushtetit të njëri-tjetrit.
“Lidhjet personale të Edi Ramës me presidentin Erdogan nuk janë në përputhje me standardet e lidhjeve tradicionale mes kombeve tona të lira dhe mike. Këto lidhje janë para së gjithash në funksion të pushtetit të njëri-tjetrit.
Sikundër theksoj për të gjithë ju që ndjeni sadopak krenari me origjinën tuaj shqiptare se neo-otomanizmi është doktrinë vasaliteti, larg së qenit një doktrinë kulturale dhe miqësore mes vendeve.
Për të gjitha këto, ju bëj thirrje të flakni me neveri, me përçmim thirrjen dhe mesazhin e Edi Ramës, e një njeriu që shkel çdo rregull, e një njeriu që nuk ka pikën e moralit t’u drejtohet ju se për kë duhet të votoni”, shton ai.
Më herët kryeministri Rama në mesazhin e tij shprehu konsideratën për presidentin turk, duke i uruar fitore në zgjedhjet presidenciale të 14 majit. Rama shprehu se zgjedhjet në Turqi janë me rëndësi, jo vetëm për kombin dhe popullin turk, por edhe për Ballkanin dhe Evropën.
