Lideri i opozitës, Sali Berisha, u bëri apel qytetarëve të Malësisë së Madhe të mbështesin opozitën dhe koalicionin “Bashkë Fitojmë” të dielën, për të ndryshuar bashkinë dhe jetën e tyre. Sipas Berishës, 14 maji është moment kur ata duhet të shkojnë të votojnë, për të reaguar ndaj korrupsionit të qeverisjes socialiste të 10 viteve të fundit.
Berisha bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama, për largimin e shqiptarëve nga vendi.
“Nuk ka vend më të bukur se Malësia, nuk ka potenciale më të mëdha se Malësia. Pse braktisen? Se këto pasuri janë shndërruar të huaja, nuk ndjehen të qytetarëve, por të qeveritarëve. Pse braktisen? Sepse, Edi Rama ka nxjerrë formulën se në Sqhipëri nuk vdes kush urie. Nuk është puna të vdesim urie, se për të vdekur urie nuk kanë vdekur as në kohërat më të vështira, por puna është të jetojmë si njerëz, të ushqehemi si njerëz, të rrisim fëmijët tanë siç duhet t’i rrisim.”
Lideri historik i demokratëve ka reaguar edhe për deklaratat e shefit të qeverisë Rama gjatë kësaj fushate zgjedhore, në drejtim të qytetarëve të djathtë.
“Ky është qeveritari i parë që i thotë qytetarëve mos dilni në votime. Kaq frikë dhe tmerr ka ky nga vota juaj. Saqë ju thotë: aman mos më gjuani me votën tuaj, aman mos voton kundër meje. Edi je i pashpresë! Kjo tregon se ai është i pashpresë.”
Berisha u ka bërë apel banorëve të Malësisë së Madhe të votojnë kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, duke u shprehur optimist se zgjedhjet e së dielës do të shënojnë triumfin e opozitës.
