Është zbardhur dëshmia e dhënë në polici nga kryebashkiaku socialist i Maliqit, Gëzim Topçiu, lidhur me konfliktin e zhvilluar gjatë ditës së sotme me deputetin e PD-së, Edmond Spahon.
Në dëshminë e tij, Topçiu shprehet se Spaho i ndërhyri në takimin që ai po zhvillonte me fermerët dhe nisi ta filmonte dhe ofendonte.
Ai thotë se Spaho i tha gënjeshtar e mashtrues dhe shkeli ligjin zgjedhor për “pengimin e takimeve elektorale”.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi gjatë një takimi elektoral që Topçiu po kryente në zonën e Vreshtasit me traktoristët, ku ka shkuar deputeti i PD-së, Edmond Spaho, i cili ka filmuar takimin e tyre.
Spaho i drejtohet Topçiut duke i thënë “Shikojeni këtë mashtrues në fushatë elektorale”.
Ndërkohë ka ndërhyrë edhe deputeti socialist, Ilir Pendavinji, i cili ka debatuar me Edmond Spahon.
Deputeti demokrat theksoi se kur nisi të filmojë kryebashkiakun Topçiu, një nga personat që e shoqëronte i goditi telefonin duke ia hedhur në tokë.
Ai u shpreh se në takim ndodhej edhe deputeti socialist, Ilir Pendavinji, duke thënë: “Madje edhe me fyu me atë që thoshte. Përpiqeshin të më intimidionin dhe të më ulnin dinjitetin”.
Debati:
Spaho: Ku është Gëzimi (Topçiu) ma tregoni pak?
Fermeri: Gëzimi është aty, te ai zetori atje.
Spaho: Ku është ai Gëzimi?
Fermeri: Ja andej tutje.
Spaho: Ky që shikoni është kryetari i bashkisë i cili ka mbledhur të gjithë me premtimin dhe gënjeshtrën që do tu japë targat.
Ilir Pendavinji (deputet i PS): Ca ke o Mondi, nuk është gënjeshtër.
Topçiu: Po ik se nuk ka lezet kështu.
Spaho: Shikojeni këtë mashtrues në fushatë elektorale.
Pendavinji: Po mjaft u bëre si adoleshent mjaft.
Spaho: Ja edhe deputeti tjetër që ka ardhur për tu vënë targat traktorëve.
Pendavinji: Ik o Mondi, ik tani.
Spaho: Shikoni kryetarin e Bashkisë si mbledh vota.
Njerëzit që ishin më këtë takim kanë filluar të brohorasin kundrejt deputetit për ta larguar këtë të fundit nga takimi.

