Të paktën 8 persona kanë humbur jetën në përmbytjet si pasojë e shirave të intensivë në Emilia Romagna në pjesën veriore qendrore të Italisë.
Sipas lajmit të agjencisë italiane ANSA, 8 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet si pasojë e shirave intensivë që janë efektivë që nga dje në rajonin Emilia Romagna.
Ministri për Mbrojtjen Civile dhe Politikat Detare, Nello Musumeci në një deklaratë lidhur me katastrofën e përmbytjeve që ka goditur rajonin në fjalë tha se lumenjtë në rajon janë vërshuar dhe se kanë mbetur nën ujë 24 zona.
Ai theksoi se në 36 orët e fundit në rajon ka rënë sasia e reshjeve e cila duhej të binte në një periudhë për 1.5 vjet. Musumeci shtoi se janë ndërprerë udhëtimet rajonale me tren dhe i bëri thirrje popullatës së rajonit që të mos largohen nga vendet ku ndodhen.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni e cila ndodhet rrugës për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve G7 në Japoni, ka dërguar mesazhin se qeveria po ndjek nga afër situatën në Emilia Romagna dhe se janë të gatshëm për marrjen e masave emergjente nëse është e nevojshme në rajon.
Sipas mediave italiane, në rajon pa energji elektrike kanë mbetur 50 mijë njerëz. Të gjithë lumenjtë dhe përrenjtë në rajon kanë vërshuar si pasojë e reshjeve intensive ndërsa vërehet se bulevardet dhe rrugët në qytetet si Faenza, Cesena dhe Riccione kanë mbetur nën ujë.
Në rajon ka pasur ndërprerje serioze të komunikimit. Në shumë vende ka patur ndërprerje të energjisë elektrike ndërsa është ndërprerë mësimi nëpër shkolla ku situata është kritike në disa vende. Mbrojtja Civile ka vënë në dukje se rajoni i prekur nga përmbytjet është rajon shumë i gjerë dhe që paraqet rreziqe edhe për ekipet e kërkim-shpëtimit.
Bashkia e Bolonjës në një njoftim u ka rekomanduar banorëve të qëndrojnë në katet e sipërme dhe në mënyrë kategorike të mos zbresin në vende të ulëta si katet përdhe, bodrume dhe garazhe.
Në anën tjetër, menaxhimi i Formula 1 njoftoi se për shkak të katastrofës së përmbytjeve në Emilia Romagna, është anuluar Emilia Romagna Grand Prix e cila duhej të mbahej në Imola më 19-21 maj.
Rajoni Emilia-Romagna në vend u prek dhe nga përmbytjet e shkaktuara nga shirat intensivë në fillim të majit ku si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut humbën jetën 2 persona.
Burimi: AA