Në një seancë të posaçme parlamentare për situatën në veri, kryeministri Kurti ishte konkret në përmendjen e emrave të serbëve që gjenerojnë, siç tha ai, dhunë fashiste.

Sipas tij, janë ata që drejtojnë struktura krimi në veri.

“Millorad Jevtiç, shtëpia e tij është shndërruar në bazë të këtyre grupeve. Ata po punojnë në mobilizimin e këtyre strukturave. Nicko Jevtiç nga mbrojtja. Rajko Jevtiç, ish-drejtor i komunës së Leposaviqit.

Aleksandar Filipoviç, personi kryesor që i drejton ata, më 12 maj ka rrahur një qytetare serbe. Po ashtu Nokolla Agjiç, Severna Brigada, Milan Zhvkobiç”.

Sipas Kurtit, në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ka milici fashiste, ndaj duhet mbështetur maksimalisht policia e Kosovës atje.

“Kemi të bëjmë me milici fashiste, për këtë përballë i duhet Qeveria e Kosovës, i duhet Kuvendi i duhet populli. Policia ka nevojë për mbështetje”, arsyetoi ai, duke mos marrë atë që dëshiron, pasi politika kosovare nuk është në unison as për këtë çështje delikate me theks kombëtar.

Kundërshtari i tij më i flaktë, Ramush Haradinaj, paraardhës i tij, thirri për shkarkimin e Kurtit.

“Ajo që nuk po e flasim ne në Kosovë është ku po shkon Kosova nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti. Pra po e devijojmë sot atë që po i ndodh Kosovës nga kryeministri Kurti, nga Qeveria Kurti…Unë po ju them mendimet e mia se çka po i ndodh Kosovës nga Kurti dhe qeveria e tij…Mosbesim deri në pabesi, pra mosbesim deri në pabesi, jo befasi, po mosbesim deri në pabesi”, tha Haradinaj, duke theksuar se kryeministri Kurti në vazhdimësi e ka kultivuar një mosbesim me aleatët e Kosovës, veçanërisht siç tha ai, me ata të sigurisë dhe “në garantin tonë kryesor të sigurisë që është Amerika”.

Por kujtojmë se asnjë prej paraardhësve të Kurtit, përfshirë dhe Haradinajn, nuk ka guxuar të mendojë apo veprojë për sovranitet në veri. Nga ana tjetër, Haradinaj po ashtu ka sfiduar komunitetin ndërkombëtar në rastin e tarifave doganore për mallrat serbe.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re