Skip to content

Kurti i prerë: Zgjedhjet e reja, kur të kthehen bandat në Serbi

Albin Kurti është pajtuar tashmë me idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, por për këtë ka kushte të qarta: Së pari, shpjegoi ai në një intervistë dhënë televizionit amerikan NBC, bandat e mbështetura nga Beogradi të kthehen në Serbi, në të kundërt, do të arrestohen.

“Nuk e mohoj mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, por drejtësinë së pari duhet ta vemë në vend. Si fillim, duhet të dalin para drejtësisë bandat në veri. Që situata të qetësohet, bandat e dhunshme duhet ose të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë dhe pastaj mund të kemi zgjedhje të parakohshme”, tha Kurti.

Detajet për zgjedhjet e reja, shpjegoi Kurti, do të diskutohen me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, të cilët pritet ta vizitojnë Kosovën në javën e ardhshme.

“Javën e ardhshme, Lajçak dhe Escobar do të vijnë në Kosovë dhe ne do t’i diskutojmë detajet. Edhe unë besoj në zgjedhje të parakohshme, por së pari na duhet rendi dhe ligji”, shtoi Kurti.

Kryeministri është i ndërgjegjshëm se për nga mënyra sesi u zgjodhën, kryetarët shqiptarë që fituan në komunat veriore kanë legjitimitet të ulët, e megjithatë, ata mëse të ligjshëm sipas tij.

“Kryetarët që kanë fituar komunat, nuk kanë legjitmitet të lartë për shkak se pjesëmarrja në zgjedhje ishte e ulët. Ne i ftuam qytetarët të votonin, por Beogradi i ka shantazhuar. Duhet ta ndalojmë Beogradin në mënyrë që të mos ushtrojë presion mbi serbët e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës.

Kurti shtoi se si Serbia, ashtu edhe Rusia, nuk duan që Kosova të ketë sukses si shtet.