Kreun i Shoqatës Proeksport Albania, Edvin Prençe, është shprehur se vendimi i qeverisë për rritjen e pagave minimale duhet të ishte paralajmëruar më herët.
Komentet Prençe i bëri gjatë një interviste në Panorama TV, ku tha se mos-paralajmërimi nga qeveria i vendimit, ka bërë që bizneseve t’u dalë situata jashtë parashikimeve.
Ai sqaroi se ata që kanë biznese bëjnë një biznesplan dhe rritja e pagave minimale nga ana e qeverisë pa paralajmëruar, ka bërë që plani i tyre të dështojë.
“Që ditën e djeshme ka qenë një takim me ministren e Financave. Në momentin që bizneset nuk do të kenë mundësi të paguajnë, unë them se është një situatë shumë e afërt që mund të vijë. Mendoj që kjo është një ndër krizat më të forta që Shqipëria po kalon. Logjika të çon që për të orientuar një shtet për t’u future në euro duhen shumë vite. Shtetet e komunitetit europian kanë pasur një hyrje graduale. Ne kemi lejuar tashmë që të ketë një zhvillim të euros në vendin tonë.
Pra jemi vetë ne që kemi lejuar euron të hyjë kaq thellë në ekonomi dhe me të drejtë euro është. Euro është si një virus që lëviz dhe manovrohet në mënyrën e saj. Më shumë e shoh si një lejim dhe kjo do të jetë edhe një optikë për të parë nëse na leverdis në këtë mënyrë apo të bëjmë minimizimin e përdorimit të euros. Kjo do të sillte efektet e saj positive për ekonominë shqiptare.
Si shumë sektorë të tjerë, edhe sektori ynë nuk do të mbetet mbrapa. Nevoja të çon drejt orientimit për të marrë punonjës nga vendet e treta. Kemi pasur sukses sepse ka pasur integrim të thjeshtë të këtyre punonjësve të huaj.
Mendoj që nga ana e qeverisë, mendoj se është munduar të bëjë më të mirën. Pavarësisht se në disa raste peshën ia ka lënë biznesit, këtu marr shkas pagën minimale. Mendoj se do të ketë kthim të emigrantëve, pasi pagat po shkojnë pak a shumë në të njëjtin nivel.
Qeveria nga ana e saj është konsultuar edhe me ne si grupim për rritjen e pagës minimale. Nuk ka njeri që nuk është dakordësuar për rritjen e pagës minimale, por nuk mund të mohojmë edhe faktin që kur merren vendime të tilla, duhet të jenë të parashikueshme ose të paralajmëruara, gjë që nuk ka ndodhur dhe pati efektin e vet në biznes. Pasi kur ke një biznes ti bën një biznesplan dhe kjo rritje pagash del jashtë parashikimeve. Duhet të ketë edhe politika të taksimit të drejta”, tha Prençe.
