Skip to content

Kontrollet në kampin e MEK/ Berisha: Policia shkeli ligjet ndërkombëtare të refugjatëve, krim i shëmtuar

Ish kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar si krim të shëmtuar dhe dhunim të ligjeve të refugjatëve, kontrollin e ushtruar nga Policia e Shtetit në kampin e MEK në Manzë.

 

“Inkursioni agresiv dhe banditesk i Policisë së Shtetit me urdhër të Edi Ramës në kampiun e refugjatëve iranianë, në Manzë përbën një krim të shëmtuar, përbën një dhunim flagrant të të gjitha ligjeve të vendit, konventave ndërkombëtare për refugjatët, traditës shqiptare dhe detyrimit që vjen nga kjo traditë”, tha Berisha në një dalje për mediat.

 

Berisha dënon veprimet e policisë, që sipas tij kanë ushtruar dhunë dhe terror ndaj muxhahedinëve, ndërsa thekson se nuk është zbatuar ligji gjatë sekuestrimit të pajisjeve personale të tyre.

 

“Dënoj me ashpërsinë më të madhe, terrorin fizik, psikologjik të gjithanshëm të ushtruar ndaj muxhahedinëve. Dënoj me ashpërsinë më të madhe, dhunën e egër fizike e cila ka pasur pasojë deri më tani 1 të vdekur me plagë të shumta dhe mbi 40 të plagosur, një pjesë e të cilëve janë në spitalet e vendit.

 

Dënoj me ashpërsinë më të madhe veprimet dhe i konsideroj banditeske ato, pasi të gjitha objektet e konfiskuara janë marrë pa lënë asnjë dokument, asnjë procesverbal nga ana e Policisë së Tiranës”, shton Berisha.

 

Nga ana tjetër, MEK pretendon se një person ka vdekur dhe dhjetra janë plagosur. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga burime zyrtare.