Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur se projektligji i qeverisë për legalizimin e kanabisit do i hapte rrugë narkotrafikut pa fre e kontroll.
Komentet Meta i bëri përmes një deklarate për mediat, ku tha se situata është më e rëndë në momentin që BE thotë se Shqipëria nuk është konsultuar me ta për këtë ligj.
Meta thotë gjithashtu se mënyra më e mirë për të ndalur këtë murtajë që ka pllakosur vendin është kthimi pas i këtij ligji.
“Akoma më e rëndë është situata kur BE thotë se Shqipëria nuk është konsultuar me ta për ligjin për legalizimin e kanabisit. Alibia e përfitimit ekonomik bie, pasi përfitimet janë thuajse zero, siç u provua edhe në Maqedoninë e Veriut.
Kanabisi është një drogë që çon në përdorimin e drogërave më të forta. DASH ka qenë shumë i qartë në raportin mbi kanabisin shqiptar. Shqipëria thotë raporti cilësohet si një rrugë kyç e trafikut të drogës drejt Europës Perëndimore dhe Amerikës. Pra është shumë e qartë, që legalizimi i drogës nga qeveria e Ramës, është vetë legalizimi i narkoshtetit.
I hap narkotrafikut autostrada pa fre dhe kontroll, duke i hapur rrugën shndërrimitt ë Shqipërisë në bazën më të madhe të narkotrafikut në Europë. Tërheqja dhe kthimi mbrapsht i këtij ligji, është e vetmja rrugë për të ndalur këtë murtajë që ka pllakosur vendin”, u shpreh Meta.