Kryeministri Edi Rama është shprehur se situata e tensionuar në veri të Kosovës, kërcënon edhe interesin e Shqipërisë dhe të mbarë rajonit.
Komentet Rama i bëri përmes një deklarate për mediat, ku tha se i ka dërguar një letër presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Scholtz dhe presidentit të KE-së, në të cilën kërkohet një tjetër nxitje për zbatimin e planit Franko-Gjerman.
Rama ndër të tjera shtoi se me tensionet e ditëve të fundit në veri të Kosovës, rrezikohet edhe një përplasje e armatosur mes grupeve të ndryshme atje.
“Përsëris apelin për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të 3 policisë së Kosovës. Pa u kthyer në shtëpi ata 3 burra, nuk ka ecje në planin e deeskalimit. I kam nisur një letër Macronit dhe kancelarit Scholtz edhe presidentit të KE, lidhur me domosdoshmërinë e një shtyse të Francës dhe Gjermanisë, për planin Franko Gjerman, që ky plan të zbatohet me doemos.
Në kushtet kur degradimi i situatës në veri, për shkak të politikave të dy udhëheqësve, por e rrit me orë klimën e tensioneve, duke rrezikuar një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës. Kjo do të ishte një katastrofë, mes së cilës do të përfshihej KFOR. Por përplasja e cila edhe sikur 3 orë të zgjaste, do të rezultonte fatale për gjithçka është bërë në këto vite, përpjekje dhe nisma, nën procesin e Berlinit.
Një kthim pas për gjithë rajonin dhe të ardhmen e tij, që nuk mund të bëhen peng të lojës politike. Popujt tanë, shtetet tona në këtë lagje të Europës, kanë një moment krejt tjetër dhe një rrugë krejt tjetër që adreson qorrsokaku i veriut. Nuk mund të vijojmë të presim me vite që ky proces dialogu të përfundojë që njohja të ndodhë de facto. Është e rëndësishme ta kuptojnë të gjithë, ata që flasin për vëllezër të mëdhenj e të vegjë, se interesi ynë kombëtar, i Shqipërisë si shtet, kërcënohet nga kjo situatë.
Ky rajon nuk është as i Albinit, as i Aleksandrit. Ky rajon është i popujve që e popullojnë. Ky rajon ka vuajtur boll nga nacionalistët dhe përplasjet e vazhdueshme që mund të kenë pasur justifikimet e tyre në kohëra të caktuara, por nuk i ka më sot, kur jemi në kushtet e një Europe që përkrah paqen. Kjo situatë i shkon përshtat vetëm Rusisë. Nga kjo përplasje, nuk fiton as Europa, askush”, u shpreh Rama.
