Skip to content

Kryetari i ri i Bashkisë Has bën betimin, mbledhja për konstituimin e këshillit shoqërohet me tensione

Këshilli i Bashkisë Has, i dalë nga zgjedhjet e 14 Majit dhe kryetari i bashkisë, Miftar Dauti janë mbledhur për konstituimin dhe betimin e tyre. Mbledhja është thirrur nga 12 këshilltarët e djathtë, sipas të cilëve janë ndjekur hapar ligjorë për t’u vetëmbledhur në mungesë të thirrjes nga sekretari i këshillit apo prefekti i qarkut.

Kryetari i zgjedhur dhe këshilltarët e djathtë i janë drejtuar sallës së këshillit të bashkisë për të zhvilluar mbledhjen por nuk janë lejuar nga administrata e bashkisë. Si rrjedhojë, mbledhja nisi në një ambient të përshtatur në hollin e bashkisë. Miftar Dauti nga “Bashkë Fitojmë” tha se janë respektuar të gjitha procedurat ligjore ndërsa kryetari në detyrë Liman Morina kërkoi shtyrjen e mbledhjes për shkak se nuk kishin asnjë njoftim për këtë mbledhje dhe siç e cilësoi shumë të rëndësishme.

Nga ana tjetër, ishte sekretari i këshilit dhe prefekti i qarkut që caktuan datën 3 Korrik si mbledhjen e konstituimit të këshillit të bashkisë Has por këta të fundit thanë se afati i fundit për mbledhjen e parë të konstituimit është data 24 Qershor.