Kryeministri Edi Rama është shprehur se ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bërë çmos që situata e tensionuar në veri të Kosovës të zbutet.
Përmes një deklarate për mediat, Rama është shprehur se ajo që po ‘gatuhet’ në veri të Kosovës është diçka e tmerrshme.
Ai ironizoi edhe zërat që janë për një qëndrim tjetër të Shqipërisë në raport me situatën në Kosovë, për të cilët tha se ngatërrojnë luftën reale me atë në ‘playstation’.
Pjesë nga diskutimi:
Rama: Nuk jam unë që vë sanksione, as nuk më marrin të më pyesin si mendon ti. Aq sa kam pasur unë mundësi dhe jo i vetëm kam bërë çmos që gjërat të zbuten. Vala e parë është vënë ën lëvizje, vala tjetër, mund të vihet shumë shpejt në lëvizje. Por po u vu në lëvizje vala tjetër, do të jetë një valë e egër për të dyja palët. Këta që luftojnë në FB me të shara dhe agresivitet dhe që janë gati të marrin armët dhe që ngatërrojnë playstation me luftën dhe armët reale, madje kanë pasqyruar në mendjen e tyre një David të vogël me një Goliath të planetit. Ajo që po gatuhet në veri është e tmerrshme, nuk ka nevojë të jesh atje ta shikosh. Nuk mund ta shikosh historinë që riprodhohet. Nuk ka asnjë takim për Ballkanin e Hapur, nuk ka asnjë zhvillim, vetëm lironi 3 policët.
Pyetje: A është dhurata e madhe e 4 korrikut heqja e vizave nga Amerika?
Rama: Aman mos ma përsërisni 100 herë këtë dhuratë, sepse kur ta shihni do të mendoni jo si dhuratë, por sikur po ju bëjmë ndonjë të keqe. Muhabet kot ky. E kam thënë në një kontekst të caktuar, merreni shikojeni kur e kam thënë, si e kam thënë. Duket sikur është zbritja në tokë e dikujt që është lart dhe që duket sikur nuk do të vijë asnjëherë.
