PDIU dhe Shoqata Patriotike “Çamëria” organizuan pelegrinazhin në Varrezat e Kllogjerit, bashkia Konispol, në kuadër të 79- vjetorit të genocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë.

Shqiptarë të Çamërisë por edhe qytetarë të tjerë ishin të pranishëm në Varrezat e Kllogjerit, në vendin ku humbën jetën më shumë se 2900 çamë, të cilët u larguan me dhunë nga trojet e tyre.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi i cili foli në lidhje me problemet e Çamërisë duke hequr paralelizma me Kosovën.
Ai u shpreh se kur Kosova kishte kohezion kombëtar nga të gjitha trevat kohezion ndërkombëtar, mbështetje nga SHBA dhe BE, arriti të kishte pavarësinë. Më tej ai theksoi se e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me shqiptarët e Çamërisë.
“Edhe problemet e Kosovës ashtu si ato të Çamërisë marrin zgjidhje vetëm kur të gjithë shqiptarët janë në mbështetje të saj. Edhe Kosova kur kishte kohezion kombëtar nga të gjitha trevat, kohezion ndërkombëtar, mbështetje nga SHBA dhe BE, arriti të kishte pavarësinë e Kosovës që është e dyta ngjarje e rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me shqiptarët e Çamërisë”, deklaroi ai.
Idrizi u shpreh se Kurti dhe Rama e kanë detyrim të jenë të ndarë në dy shtete por jo në çështjen kombëtare dhe politikat e jashtme. Ai theksoi se Kurti duhet të krijonte kohezion të brendshëm dhe të takohej me të gjitha forcat politike të Kosovës.
“Mu desh që t’i adresohesha, edhe për atë që po ndodh në Kosovës ku e dimë mirë që është e drejtë kërkesa për të vendosur në godinat funksionarët e zgjedhur pavarësisht nga legjitimiteti i tyre apo që shteti i Kosovës të vendosë praninë e tij në veriun e Mitrovicës, por besoj që edhe në shqiptarët e Çamërisë kemi akoma më shumë të drejtë kur kërkojmë të drejtat tona, por kjo nuk mjafton. Kjo pasi të drejtat tona kanë nevojë për një kohezion të brendshëm. E thënë kështu Albin Kurti e ka detyrim, edhe kryeministri Rama, të jenë të ndarë në dy shtete e në dy qeveri, por kurrë të ndarë në çështjen kombëtare apo në politikat e jashtme dhe ato të mbrojtjes së interesit kombëtar.
Albin Kurti duhet që fillimisht të krijonte kohezion të brendshëm, të takohej me të gjithë forcat politike në Kosovës, të komunikonte me qeverinë shqiptare dhe Parlamentet e dy vendeve Komisionet e Jashtme, komisionet e sigurisë kombëtare duhet të takohen e të flasin me një zë. Kjo sepse jo vetëm e kemi detyrim mbështetjen, por Shqipëria është e përfshirë direkt në çështjen e Kosovës”, u shpreh Idrizi.
