Skip to content

Grabitja e pikës së këmbimit valutor/ Autorët gjetën derën e hapur! Merren në pyetje punonjëset, dyshohet se kanë “gisht” në ngjarje





Panorama TV ka mësuar të tjera detaje në lidhje me grabitjen e pikës së këmbimit valutor në zonën e Astriti në Tiranë një ditë më parë.

Gazetari Ervin Leka raporton se policia ka nisur verifikimet për dy punonjëset e pikës së këmbimit, të cilat janë marrë edhe në pyetje, pasi ka dyshime se kanë bashkëpunuar me autorin.

Po ashtu mësohet se në momentin kur autori është futur në pikën e këmbimit valutor dera ka qenë e hapur.

Si ka ndodhur grabitja?

Autori ka hyrë në pikën e këmbimit valutor me maskë anti-Covid dhe një kapele, ndërsa pasi ka kryer grabitjen është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke përdorur një biçikletë.

Në pamjet e kamerave të sigurisë, ai shihet duke hyrë brenda në objektin e grabitur pasi ka përfituar nga një moment ku punonjëset kanë lënë të hapur derën e ambientit ku ato qëndrojnë.

Pasi shtyn njërën prej tyre, ai nxjerr një pistoletë për t’i kërcënuar dhe nxiton për të marrë sa më shumë para, duke u larguar më pas me shpejtësi.

Gjatë kohës kur ai ndodhet brenda në objekt, në derë futet edhe një klientë, e cila pasi merr sinjalizim nga punonjëset e pikës Exchange, del menjëherë.

5 mije euro shperblim kush jep informacion per autorin

Policia ka vendosur shpërblim 5000 euro për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit, që grabiti mëngjesin e sotëm pikën e këmbimit valutor në Tiranë.

Blutë e Tiranës kanë apeluar qytetarët të japin të dhëna që mund të çojnë në kapjen e grabitësit, duke vendosur edhe numrin e tyre në dispozicion. Ndërsa kanë garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.

“”