Kanë kaluar më shumë se katër muaj nga vdekja në QKUK e 19-vjeçarit, Drin Leku, nga fshati Baincë i Drenasit. Por ende nuk po dihet se si erdhi deri te vdekja e këtij të riu. Familja po e akuzon stafin e QKUK-së, për neglizhencë ndaj trajtimit për djalin e tyre. Dreni ka ndërruar jetë në mesnatën e 8 gushtit.
Kufoma e të ndjerit kishte qëndruar në korridorin e QKUK-së deri në orën 8:30 të mëngjesit. Por institucionet kosovare ende nuk kanë dal me rezultate për të sqaruar rrethanat.Familjarët e të ndjerit kanë angazhuar edhe një avokat me anë të të cilit kanë ushtruar kallëzim penal ndaj Klinikës së Kirurgjisë Abdominale ku i ndjeri pas operacionit ndërroi jetë më 8 gusht të këtij viti.“Sot bëhen 4 muaj nga ndarja fizike nga ne Drin Leku.
Ende pa kurrfarë rezultatesh nga Mjekësia Ligjore, nga i erdhi vdekja Drinit? Ku është shëndetësia jonë, ku është shteti që hesht, që askush nuk jep kurrfarë përgjegjësie”, ka shkruar axha i të ndjerit, Naser Leku.
“Babi, bane mirë qe më prune”, kishin qenë fjalët që 19-vjeçari, Drin Leku, ia kishte thënë prindit të tij, Rrustemit, pasi që ky i fundit e dërgoi në QKUK për trajtim, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të djalit të tij në mesnatën e 6 gushtit të këtij viti. Por nga aty, Drini nuk arriti të dilte i gjallë. Ai ndërroi jetë 2 ditë më vonë, më 8 gusht në QKUK.
Për vdekjen e 19-vjeçarit kanë kryer hetime Inspektorati Shëndetësor, Prokuroria e Kosovës si dhe i është bërë obduksioni nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Por asnjë nga këto institucione nuk kanë dal me ndonjë rezultat.
Historia tragjike e familjes Leku me djalin e tyre nisi që nga mesnata e 4 gushtit të këtij viti. Djali i Rrustemit, Drini, kishte vazhdimisht të vjella dhe dhembje të barkut. Me këto simptoma ai kërkon ndihmë në Emergjencën e QKUK-së. Por aty, familja thonë se mjekët nuk ia ndalën djalin për trajtim më afatgjatë. I kishin thënë se nuk ka asgjë serioze dhe se djalin duhet kthyer për në shtëpi.
.



