Ish ministri i Jashtëm Paskal Milo ka zbuluar mbrëmjen e sotme takimin e parë me ish sekretaren amerikane të shtetit Madeleine Albright.

Milo tha në studion e emisionit Log se është takuar me të në SHBA në vitin 1997, bashkë me ish kryeministrin e asaj kohe, Fatos Nano. Mili citoi dy kritika të Albright duke iu referuar të dhënave që ambasada e SHBA në vendin tonë kishte përcjellë në shtetin amerikan.
“Takimi im i parë me Albright ka qenë në Nju York në vitin 1997. Kam qenë së bashku me Fatos Nanon. Takimi kishte më shumë karakter zyrtar. Ajo i qëndroi karakterit zyrtar të takimit. Na bëri edhe vërejtje. Ajo në radhë të parë ajo na tha që duhet kujdes, nuk duhet të jeni refraktarë shumë me opozitën.
Ambasada e SHBA në Tiranë kishte dërguar informacion se kishte një lloj revanshi politik ndaj të djathtës. Ajo kishte marrë informacione që në administratën e re shqiptare po rekrutoheshin ish agjentë të Sigurimit të Shtetit. Këto dy vërejtje nuk ngruroi t’i bënte. Fatos Nano e garantoi se kjo në raport me opozitën nuk ë shte e saktë, është e zmadhuar. Dhe të dytën e mohoi duke thënë se nuk është e vërtetë”, deklaroi ai.
Milo shtoi se në takimet e tjera të mëvonshme ka pasur një bashkëpunim mjaft të ngushtë me Madeleine Albright.
“Në takimet e tjera bashkëpunimi u shtua. Në takime ndërkombëtare, ajo më shikonte nga distanca dhe për më inkurajuar më shkelte syrin për të thënë që e ke mirë. Mund të them që ajo në mjaft raste të puthte dhe në faqe”, theksoi Milo.
