Analisti Genc Burimi është shprehur se vizita e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, në Tiranë, është një lloj përqeshjeje që sipas tij, kryeministri Edi Rama i bën Kosovës.
Komentet Burimi i bëri përmes një interviste në Panorama TV, ku tha se do të ishte më mirë që Rama ta priste Clintonin në Prishtinë, duke parë situatën e tensionuar që po kalon Kosova muajt e fundit.
Ai shtoi gjithashtu se kryeministri Rama bën cirk dhe simbolizon ndarjen me një grup të madh shqiptarësh.
“Rama i bëri një lloj përqeshje Kosovës, duke i treguar se ju jeni në prishje me perëndimin, kurse unë ftoj atë që ju solli pavarësinë. Bill Clinton në të vërtetë nuk kishte pasur një lidhje të veçantë me Shqipërinë, por lidhja e tij me shqiptarët bëhet përmes Kosovës. Refuzimi i Kurtit që të mos takojë Ramën është pikërisht edhe për këtë gjë. Clinton është çlirimtar i Kosovës zyrtare. Clintoni është personazhi që urdhëroi bombardimin e Beogradit nga NATO. Kosova aktuale zyrtare mungonte jo vetëm në këtë takim, por mund të ishte imagjinuar që pritja e Rama i bënte Clinton, mund të bëhej në Prishtinë dhe jo në Tiranë.
Ajo që do të mbahej mend do të ishte nëse Rama këtë eveniment do e bënte në Kosovë. Ajo ishte simbolika tepër e fortë. Pavarësia e SHBA-ve, kur Clinton e kremton në Prishtinë. Ai tha një fjalë të rëndësishme, bashkohuni. Edi Rama mbjell ndasitë, ndasitë me biznesin, duke parë çfarë i ka bërë edhe Hysenbelliu Grup. Ndasitë me mjekët, me studentët, etj. Është pak si boshe që Clinton të vijë në Tiranë dhe të predikojë bashkimin, kur Rama simbolizon ndarjen me një grup të madh shqiptarësh. Mendoj se në origjinë kemi të bëjmë me një operacion komunikacioni nga ana e Ramës. Ai është mjeshtër në komunikim për diversion.
Rama bën sot një lloj cirku. Shqiptarëve nuk është se u shërben kjo vizitë, nuk është vizitë zyrtare, është një event që nuk ekziston. Në Shqipëri kujtojnë se posti është i trashëgueshëm, por posti është thjesht një shërbim që ndodh për një periudhë. Rama do të tregojë që Rama është i preferuari i ndërkombëtarëve. Bill Clinton erdhi sepse ja paguan gjithçka. Ai i papunë është. Rama solli një ish-president në një kohë që Berisha solli një president. Nuk mund të krahasohen, Clinton ka qenë president 30 vite më parë. Rama nuk mund të themi që nuk është orator.
Kjo është mendësia e Tony Blerit. Komunikim, komunikim, krijo një event edhe kur nuk ka asgjë. Nuk ka asnjë duk real. Në popullatë sot qytetari po bën gati valixhet për të ikur. Sot në botën e sotme krahasimet bëhen me komshiun. Shqipëria sot është në vendin e fundit në Ballkan përsa i përket korrupsionit, të ardhura për frymë, etj. Rama do të tregojë se është mik me të gjithë, por edhe Erdogan është mik me të gjithë”, është shprehur Burimi.
