Pavarësisht rezistencës së atyre që kanë zgjedhur të veshin bluzën e bardhë të mjekut, qeveria e ka çuar përpara projektligjin për punësimin e detyruar të mjekëve.
Në të kundërt, nuk do t’u jepet diploma. Ishte Kryeministri bashkë me ministret e Arsimit e Shëndetësisë që bënë publik dje vendimin e qeverisë për të punuar jo tre, por pesë vite pas përfundimit të studimeve pasi nuk do t’u jepet diploma.
Pjesë e vendimit të penalizimit janë bërë edhe ata që fituan të drejtën e studimit vite më parë dhe janë ende në sistem. E gjitha kjo është kundërshtuar nga studentët, të cilët kanë paralajmëruar protestë sot në orën 10:00 përpara Universitetit të Mjekësisë.
“S’PAGUAJME PER ATA QE IKIN”
Qeveria nuk ka dyshim se reforma për të mbajtur mjekët e rinj në vend do të funksionojë. Dokumenti është hartuar në atë mënyrë sa studentët nuk kanë shteg tjetër dhe vihen “me shpatulla pas muri”.
Edhe Kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se studentët që futen rishtazi këtë vit, nuk kanë zgjidhje tjetër, veç nënshkrimit të marrëveshjes me qeverinë.
“Eshtë absolutisht zgjedhja e tyre, nuk është vetëm një zgjedhje. Ndërkohë që për ata që do hyjnë në vit të parë ka vetëm një zgjedhje, nuk ka zgjedhje tjetër. Nëse duan të studiojnë mjekësi në universitetin publik, do duhet të pranojnë këtë kusht dhe nuk është një kusht, por është formati i ri i Universitetit të Mjekësisë për sa i përket marrjes së diplomës”, nënvizoi Rama teksa shton më tej se studentët e mjekësisë që duan të ikin nga Shqipëria, duhet të paguajnë një tjetër tarifë, 6-fish më të kripur, e cila mbulon koston dhe nevojat e universitetit.
“Nuk ndryshon asgjë në thelb për sa i përket të drejtës dhe mundësisë së ushtrimit të profesionit pasi ajo fillon menjëherë pas 5 viteve, por ama duhet të bëhet këtu sepse për këtë paguan populli shqiptar taksa. Nuk paguan populli shqiptar taksa që mjekët që formohen me tarifa simbolike dhe në universitet që mbahet nga taksat e popullit shqiptar të ikin që ditën e parë. Ama, patjetër që nuk u ndalohet e drejta atyre që janë aktualisht në universitet që të largohen në rast se duan të largohen, por në vitin apo në vitet e mbetura do duhet të paguajnë një tarifë tjetër, tarifë e cila do përcaktohet natyrisht nga universiteti sipas ligjit, por e cila mbulon plotësisht kostot dhe nevojën që ka universiteti për të formësuar një student”.
Duke përdorur një gjuhë jo pak të ashpër drejtuar të rinjve, shumica ekselentë, i pari i qeverisë vuri në dukjes e se profesioni i mjekësisë nuk është njësoj si profesionet e tjera, por është i lidhur drejtpërdrejt me detyrimin e çdo shteti për t’u përkujdesur për shëndetin e njerëzve. Ai e bëri të qartë se shteti shqiptar nuk ka ndër mend të paguajë për formimin e mjekëve të rinj që ato të largohen që në ditën e parë.
“Shteti e financon universitetin publik, në këtë rast formimin e mjekëve të rinj për të mbrojtur jetën dhe për të garantuar shëndetin e të gjithë qytetarëve të vet. Nuk është njësoj si profesionet e tjera, është një profesion i lidhur drejtpërdrejt me detyrimin e çdo shteti për t’u kujdesur për shëndetin e njerëzve dhe me të drejtën e çdo qytetari, çdo familjeje, çdo të moshuari dhe fëmije për të pasur kujdes shëndetësor.
Në kushtet kur Gjermania e para dhe vendet e tjera të pasura janë duke luftuar me demografinë e tyre, me plakjen e popullsisë së tyre, me nevojën gjithmonë e më të madhe për burime njerëzore të freskëta që duhet të vijnë nga jashtë dhe ku janë bërë stacion i ndalesës së fundit për shumë profesionistë, për shumë njerëz të kualifikuar të të gjitha fushave dhe në këtë rast për mjekët, ne e kemi absolutisht të domosdoshme të ndërmarrim këtë hap, që është hapi më normal dhe hapi më i lehtë i mundshëm, që do të thotë që çdo student i mjekësisë që do hyjë në Universitetin e Mjekësisë do të duhet paraprakisht të njihet me faktin që mjekësia, studimet i ka aq sa janë dhe pastaj për tu pajisur me diplomë duhen dhe 5 vjet në shërbim të këtij populli”, u shpreh Kryeministri.
Marrëveshja do të diskutohet në komisione dhe më pas do të kalojë në Kuvend dhe do të firmoset nga Universiteti i Mjekësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe studenti. Ky projektligj konsiston në mbulimin e nevojave që kemi për mjekë dhe shpërndarjen e tyre më të mirë në të gjithë vendin, dhe së dyti frenimin e largimit të mjekëve drejt vendeve të tjera.
Kushi: Ta miratojmë brenda korrikut
Projektligji për punësimin e detyruar përbën emergjencë për qeverinë dhe si e tillë, do të prezantohet në Kuvendin e Shqipërisë me procedurë të përshpejtuar, nënvizoi ministrja e Arsimit, Evis Kushi, duke insistuar që dokumenti të ligjërohet brenda muajit korrik.
“Në muajin gusht, siç e dini, të gjithë ata maturantë që duan të studiojnë programin Mjekësi e Përgjithshme, kanë provimin shtesë të digjitalizuar që do të zhvillohet në muajin gusht pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Kështu që ne duhet ta miratojmë brenda korrikut këtë projektligj, në mënyrë që ata përpara se të marrin vendimin dhe përpara se të bëjnë provimin, t’i dinë, t’i njohin të gjitha kushtet që do të kenë për sa i takon këtij programi”, theksoi ministrja në fjalën e saj duke kërkuar në fund mbështetjen nga ana e studentëve të një projektligji që sipas saj, është në të mirën publike dhe garanton mbulimin e nevojave për kujdes shëndetësor cilësor dhe në të gjithë vendin, aty ku kanë nevojë qytetarët.
Shkojnë në 500 kuotat e Mjekësisë, Manastirliu: Të garantojmë sistemin
Më shumë kushte, por edhe mundësi pranimi për ata që synojnë të pranohen në universitetin e mjekësisë. Lajmin e dha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila tha se MSH është e detyruar të garantojë sistemin shëndetësor jo vetëm përmes kushteve të tilla, por edhe duke rritur numrin e mjekëve që dalin nga Universiteti i Mjekësisë.
Këtë vit akademik ku pritet të hyjë në fuqi dhe marrëveshja në formën e pr/ligjit si mbështetje për studentët është parashikuar që të jenë 500 kuota.
“Detyra jonë është të garantojmë sistem shëndetësor me personel të kualifikuar. Duam të fuqizojmë sistemin shëndetësor. Do të rrisim numrin e kuotave në 500 kuota pranim”, tha Manastirliu duke prezantuar dhe detajet e marrëveshjes që do të jetë në formën e pr/ligjit. Ministrja e Shëndetësisë renditi të mirat që përfitojnë studentët nga firmosja e marrëveshjes dhe mohon që po u hiqet atyre e drejta e përzgjedhjes.
“Studentëve nuk po u hiqet asnjë e drejtë, por u garantohet punësimi dhe strehimi përmes programeve sociale të strehimit të mjekëve. Dhe nëse janë pjesë e përzgjedhjes së specializimeve të vijojnë brenda këtyre afateve në spitalet rajonale të Shqipërisë”
Edhe procesi i praktikës do të rishikohet. Marrëveshja do të ketë fuqi ligjore dhe si çdo akt ligjor do të përcaktojë dhe hapat në rastet kur zbatohet dhe pasojat nëse studentët nuk do të zbatojnë pikat e kontratës. Pr/ligjin Manastirliu e quan paketë incentivuese mbështetëse për studentët që nesër do të jenë mjekët tanë dhe të familjarëve.
“Pr/ligji garanton punësimin, politikat e strehimit lehtësuese dhe vitet e specializimit do të konsiderohen punë”. Pr/ligji momentalisht është vetëm për institucionet publike, por “është e hapur për t’u parë dhe rishikuar edhe në një perspektivë të re. Pse jo dhe studentët e fakulteteve të tjera, pse jo dhe jopublike mund ta përkrahin, mund ta duan të jenë pjesë e politikave incentivuese në shkëmbim të ushtrimit të tyre profesionit në vend”, sqaroi Manastirliu.
