Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi paralajmëron se në dosjen që SPAK ka çuar në Kuvend, ku kërkon heqjen e imunitetit për Arben Ahmetajn, përmenden si të implikuar edhe deputetë të tjerë të PS.
Kjo është një ndër arsyet që sipas Bardhit dosja për inceneratorët nuk duhet të të ishte ndarë por të trajtohej si një e vetme.
“Ka persona të tjerë të përfshirë, sigurisht jo persona të akuzuar. Materiali që është depozituar është për akuzën e ngritur nga Ahmetajt, padyshim që ka funksionarë të tjerë publik, deputetë të mazhorancës që përmenden në episode të caktuara për shkelje të ligjit”, tha ai.
Ndërkohë akuzoi mazhorancën se tentoi të mbante të fshehtë kërkesën e SPAK për ish-zëvendëskryeministrin Ahmetaj.
Në kushtet kur nga mazhoranca një skandal heq vëmendjen nga një skandal tjetër, Gazment Bardhi është i vetëdijshëm se me këtë opozitë qeverisë nuk i ndodh asgjë dhe veprimet në dëm të qytetarëve do vazhdojnë, ndaj ai paralajmëron se pas një pune që ka bërë me të gjitha rrymat në PD, do të unifikojnë qëndrimet opozitarë.
