Skip to content

BE kritika për ligjin e kanabisit/ Qeveria: Do reflektojmë shqetësimet; Opozita: Nisma është kriminale

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka kritikuar projektligjin për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, duke kërkuar masa shtesë sigurie për çdo hallkë të procesit.

Në komentet drejtuar parlamentit, BE vë në dukje se mazhoranca i ka dërguar një draft ku kriteret kanë qenë më të forta, por janë zbutur në projektligjin e miratuar nga qeveria e të cilin po e shqyrton parlamenti.

 

BE thekson se duhet forcuar roli i policisë së shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, duhet qartësuar deri në detaje procesin e verifikimit të punonjësve të agjencisë për kontrollin e kanabisit.

 

Sipas Bashkimit Evropian, ligji duhet të përcaktojë kritere të forta për marrjen e licencës për kultivimin e kanabisit, sidomos në rastin e trasferimit të licencës te palët e treta.

 

Shqetësimi i delegacionit të BE është përcjellë në komisionin e ligjeve nga demokrati Oerd Bylykbashi, ndërkohë që në emër të qeverisë ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, pranoi se është e gatshme të rregullojë ligjin në përputhje me shqetësimet e BE.

 

OERD BYLYKBASHI

“Ju keni marrë komente të BE, që u thonë ky ligj përbën rrezik. Rrezikon ndryshimi i destinacionit”

 

OGERTA MANASTIRLIU

“Jemi të gatshëm të rishikojmë ligjin”

 

Por gatishmëria e qeverisë për të rregulluar ligjin nuk e ka bindur opozitën, e cila në një zë ka dalë kundër legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore, duke ngritur alarmin se ky sektor mund të kapet nga bandat kriminale

 

OERD BYLYKBASHI

“Ju po shumëfishoni me ligj një aktivitet kriminal.”

 

Edhe pse në parim kanë qenë dakord edhe socialistët kanë kërkuar masa shtese sigurie, që garantojnë zbatimin e këtij ligji.