Skip to content

Kontrabandonin mallra nga Belgjika/ Arrestohen dy persona, nën hetim edhe një grua

Tiranë/Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave të ndryshme.

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimit të Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, operacioni policor i koduar “Fake delivery”.

Vihen në pranga 1 shtetas që transportonte mallra të kontrabanduara nga Belgjika në Shqipëri dhe një shtetas tjetër që i magazinonte mallrat, në subjektin që administronte.

Procedohet në gjendje të lirë bashkëshortja e 45-vjeçarit.

Sekuestrohen veshje të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara, me peshë totale 5548 kg.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimit të Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fake delivery”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve E. Ç., 45 vjeç dhe N. H., 58 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasja L. Ç., 45 vjeçe.

Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin në administrim nga shtetasi E. Ç., shërbimet e Policisë gjetën veshje të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara, të cilat ishin transportuar nga Belgjika drejt Shqipërisë, nga shtetasi N. H.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshje të ndryshme të kontrabanduara, me peshë totale 5548 kg.

Operacioni për goditjen e kësaj paligjshmërie vijon.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.