Skip to content

Gjykata i ‘kyç’ në burg/ Zbardhet dëshmia e tre ushtarakëve: Nuk jemi të përfshirë, s’mund ta kontrollojmë të gjithë sipërfaqen

TIRANË- Gjykata e Tiranës caktoi të hënën masën e sigurisë “arrest me burg” për tre zyrtarët e repartit ushtarak në Zall Herr për kultivimin e 125 bimëve narkotike, të cilat u gjetën brenda territorit të repartit.

Pavarësisht se seanca e sotme është zhvilluar me dyer të mbyllura, gazetarja e ABC News, Xhensila Kodra ka mësuar detaje rreth deklarimeve, që kanë dhënë të tre zyrtarët e ushtrisë para togave të zeza.

Sipas dëshmisë, ata e kanë mohuar të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa janë shprehur se e kanë pasur të pamundur të kryejnë  kontrolle në të gjithë sipërfaqen, e cila shkon rreth 140 hektarë.

“Ata kanë mohuar të jenë përgjegjës. Referuar burimeve nga organi i akuzës, të tre të dyshuarit nuk e kanë pranuar autorësinë për kultivimin e drogës. Ata kanë theksuar para prokurorisë dhe gjykatës së Tiranës se është 140 ha tokë dhe është e pamundur të kontrollohet e gjithë kjo sipërfaqe”, raporton gazetarja.

Avokatët kanë kërkuar një masë sigurie më të butë për tre oficerët e repartit ushtarak të Zall Herrit, por kjo kërkesë u refuzua.

Të arrestuarit janë:

Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë

Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin

Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.