Për të disatën herë bizneset eksportuese i drejtohen qeverisë për ndihmë.
Pas zhvlerësimit historik të euros në treg, shoqatat eksportuese në një letër drejtuar kryeministrit Rama thonë se janë në kufijtë e mbijetesës.
Për këtë arsye ata kanë bërë një analizë të tregut dhe kanë dalë me disa sugjerime për qeverinë dhe bankën e shqipërisë, sugjerime që në thelb zbusin efektet e krizës.
Sipërmarrjet kërkojnë që të reduktohet përdorimi i cash në ekonomi, të dekurajohet përdorimi i euros, të rritet huamarrja e qeverisë në tregun vendas.
Ndër të tjera eksportuesit kërkojnë edhe lehtësira fiskale, siç janë rimbursimi brenda dy javësh i tvsh-së dhe një fond subvencionimi për sektorin.
Këto kërkesa i janë drejtuar edhe ministrisë së financave dhe bankës së shqipërisë.
Në letrën e tyre bizneset thone se është nevojshme ngritja e një zyre koordinimi mes qeverisë e sipërmarrësve të kësaj fushe, me qëllim nxitjen si dhe lehtësimin aktivitetit të eksporteve.