24 gusht “Festa e Roshnikut” ose ndryshe “Festa e Fikut” do të mbledhë për dy ditë me radhë fermerë dhe banorë të njësisë administrative Roshnik, dhe jo vetëm.

Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha sot për ATSH-në se “festat lokale, të cilat po organizohen në të gjithë Shqipërinë, si një mënyrë për të promovuar traditën, produktet, kulinarinë dhe natyrën shqiptare ndalen edhe në Berat”.

“Në datën 8-9 shtator në Berat, në njësinë administrative Roshnik do të zhvillohet “Festa e Roshnikut” ose ndryshe “Festa e Fikut”, ku do të kemi një numër të madh pjesëmarrësish për panairin, të cilin do e zhvillojmë aty për të dy ditët radhazi, me produkte tipike të zonës, gliko, lakror, arra, dardha, mollë dhe sigurisht fiq”, theksoi Merdani.

Merdani bëri të ditur se “gjatë ditëve të festës do të ketë edhe aktivitete dhe lojëra për fëmijë me animatorë, të preferuarit e fëmijëve, valltaret me kostumet popullore tipike të zonës, vizita ne Liqenin e Roshnikut me Kayak, hiking në Malin e Tomorit, degustime në kantina, këngëtarë të mirënjohur të muzikës popullore dhe shumë argëtim”.

Ajo fton fermerët dhe banorët e zonës të mos mungojnë në këtë aktivitet, ku do të promovohen produktet e zonës.

Festa e Roshnikut është një aktivitet i përvitshëm ku bëhet promovimi i produkteve të zonës. Njësia Roshnik ndodhet në territorin ku është dhe Parku Kombëtar Mali i Tomorit, i cili ka tërhequr vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

/k.s/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko